Marjana Kondi: Inspirimi i suksesit tim, gjyshja dhe mamaja



Izaura Ndoj

Sapo prekim sallën, zëri kumbues dhe paraqitja e Marjana Kondit na impresionon që në momentin e parë. Një aktore pa grim të rëndë, e veshur pa një barkore, pa thinja në kokë të jep përshtypjen e një plake. Kjo aktore ashtu siç është me shumë pak plakje në portret ka realizuar rolin e një 70-vjeçare vetëm nëpërmjet marrëdhënies që ka me partnerët e saj tek tragjikomedia “Fqinjët”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Marjana Kondi na rrëfen suksesin dhe impresionon që i fali roli tek vepra e Ruzhdi Pulahës, karakterin e saj dimensional, brengat, sinqeritetin dhe dashurinë e saj për familjen. Veç anës gazmore, Marjana Kondi di të jetë mbi të gjitha një aktore që të fal lot dhe gëzim në të njëjtën kohë. Ajo është shumë e dashur, origjinale dhe jashtë mase e sinqertë në atë çfarë ajo kërkon nga vetja dhe nga të tjerët. Marjana Kondi u lind në Tiranë më 21 shkurt 1961. Për 25 vite, ajo ka qenë aktore e teatrit të Estradës. Ka interpretuar disa role mbresëlënëse në teatër, film dhe komedi. Karakteri i saj dimensional bën që ajo të shfaqet mjaft bukur në teatër, dramë apo absurditet, duke bërë që të gdhendet mjaft mirë tek publiku.

Roli i Jaja Aspasisë, ju identifikoi si një plakë 70-vjeçare. Publiku u befasua me portretin dhe interpretimin që sollët tek “Fqinjët” e Ruzhdi Pulahës, me regji të Alfred Trebickës. Si ndiheni?
Ishte një pjesë ku personazhin e kam ndjerë timin, më ka ndodhur rrallë, por më ka ndodhur me dy të pjesë të tjera, siç kanë qenë “Gjoleka i biri i Abazit” me regji të Dhimitër Anagnostit dhe “Këngëtarja tullace” me regji të Spiro Dunit. Edhe tek këto dy pjesë e kam ndjerë që rolin e kam pasur brenda meje, në të njëjtën gjë më ndodhi dhe tek shfaqja “Fqinjët” me skenar të Ruzhdi Pulahës dhe regji të Alfred Trebickës. Jam shumë komode dhe jam shumë rehat për sa i përket profesionit tim që realizova të luaja një pjesë shqiptare. Pjesët e huaja janë shumë të bukura dhe kanë tematika tërheqëse, por pena shqiptare vlerësohet më shumë nga publiku dhe mesazhi që ato mbartin të bën t’i dashurosh si personazhe. Artisti shikohet në mënyrë profesionale se sa i aftë që është në pjesën shqiptare, sepse pjesa e huaj është se ka një penë të bukur dhe thua sa e bukur qenka. Ndërsa tek pena shqiptare, t’i duhet të bësh akoma më tepër seç duhet, mbi rolin, mbi personazhin. Aty kuptohet se sa i dhemb publikut kur të shikon.

Shikoja në sallë që publiku ishte duke qeshur, por në të njëjtën kohë dhe lotonin dhe këtë gjë e bëtë vetëm ju, Marjana Kondi...
Ishte një komedi e shkruar shumë bukur nga Ruzhdi Pulaha, aq më tepër e vendosur në skenë nga regjisori Alfred Trebicka, punuar me një dashuri shumë të madhe ku të gjithë aktorët kishin vendin e vet, karakteret e veta. Të gjitha personazhet ishin të ndarë më dyshe; Aspasia me Kostën, Anthulla me Dhimitrin, Bora me Markon, Lefteria me Beharin dhe polici, i cili ishte një rol shumë simpatik i luajtur nga një aktor i ri, por shumë premtues në skenë. Jam e lumtur që e realizova këtë rol.

Mesazhi që kjo vepër mbart në vetvete garantoi dhe suksesin e padiskutueshëm...
Është e vërtetë, pasi publiku shqiptar ka kohë që nuk ka prekur vepra shqiptare. E para ishte që Trebicka goditi bukur dhe mori aprovimin për t’i dhënë jetë veprës së Pulahës dhe kjo është një zgjuarsi, por edhe mënyra se si ka punuar ka bërë që publiku ta presë mjaft mirë dhe salla e Universitetit të Arteve kishte kohë që nuk mbushej kaq plot. Prandaj, për të parë një pjesë, gjithmonë duhet shikuar nga publiku nëse ai e pret. Por mbi të gjitha, “Fqinjët” bën të mundur që çdo njeri të gjejë veten tek kjo pjesë, aq më tepër marrëdhëniet që kanë familjet shqiptare me atë greke. Është një shprehje shumë e bukur e Nënë Terezës që thotë; “Nuk duhet të shikojmë as të kaluarën dhe as të ardhmen, por të sotmen që t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të ulim kokën dhe të punojmë se kështu bota do të jetë më e bukur”. Mbase janë idealizma, por janë më se të vërteta.

Nëse ngacmojmë kujtimet e fëmijërisë, keni shprehur se roli që ju e realizuat aq bukur ju kujtonte gjyshen tuaj. Mbase kjo ka qenë dhe një nostalgji për ju?
Gjatë gjithë kohës kam imituar gjyshen time. Madje, kur familjarët dhe miqtë që më njihnin prej kohësh, më thanë që kisha imituar Dhoksinë, nënën, shpirtin tim. Dy idhujt e mi, gjyshja dhe mamaja më kanë hyrë në shumë pjesë dhe janë bërë njësh me mua. Të dyja të vdekura dhe të dyja më ndihmuan shumë për të realizuar këtë rol. Fundi që është një gjetje, në sytë e mi solli shumë lot. Normal që një artist për të hedhë një lot e vendos veten në një situatë ku bashkëngjitet me rrethanën që ti je dhe ai lot derdhet. Në atë moment kujtova mamanë time që më ndihmoi dhe më shërbeu shumë bukur për këtë rol. Në këtë pjesë futem me shumë kënaqësi, pasi i ruaj shumë bukur marrëdhëniet me partnerët, të qeshurat e publikut në sallë, i lë ti shijojë ashtu siç shijojnë pjesën dhe kur vjen fundi që është kaq delikat dhe aq prekës më vjen ndërmend nëna ime.

Është hera e parë që luani një pjesë të Ruzhdi Pulahës?
Po, është hera e parë. Që kur e lexova, më ngacmoi dhe e mora me shumë kënaqësi rolin e Aspasisë, megjithëse ishte madhe në moshë, unë nuk e pata fare problem të luaja një rol 70-vjeçar. Ja kështu është artisti, i bën të gjitha edhe komedinë dhe tragjedinë e mua m’u realizua roli në këtë mes, pasi publiku edhe qante, edhe qeshte. Ky sukses për mua është një fat, dhe e shkruaj në CV-në time me një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe për rolin e Aspasisë tek “Fqinjët”.

Njëkohësisht, ju po punoni dhe për një rol tek pjesa “Henri i VI” me regji të Andoni Filipit. Në maj do të rrugëtoni drejt Londrës?
Ka një muaj që kanë nisur provat për këtë pjesë. Gjithmonë e kam pasur pasionin për punën edhe për rolin më të vogël që më është dhënë në çdo pjesë. Kështu që tek Shekspiri kam rolin “Magjistarja”, përsëri është një rol i vogël, por mjaft i bukur. Pena e Shekspirit dihet që është një penë që e ka gjithë bota, por kryesisht Ballkani dhe për këtë arsye unë do të punoj shumë për të realizuar atë rol të vogël që më është dhënë.

Tashmë, ju jeni një aktore e afirmuar e skenës shqiptare që publiku ju ka identifikuar me batutat dhe humorin tuaj brilant. Cili ka qenë momenti më i veçantë në karrierën tuaj artistike?
Momenti më i veçantë për mua ka qenë ardhja e Dhimitër Anagnostit për filmin “Gjoleka i biri i Abazit”. Unë nuk do ta kisha menduar kurrë se Dhimitër Anagnosti do të vinte tek unë për të më besuar atë rol, jo se isha inferiore ndaj vetes sime, por duke menduar që aktorët e Teatrit Kombëtar gjithmonë merrnin rolet kryesore nga regjisorët e mirë mua nuk më shkonte kurrë mendja se do të ndodhte diçka e tillë me mua.

Estrada ka qenë një pjesë e pandarë për ju deri në momentin që u prish. Ju sjell ndopak nostalgji puna e me ikonat e teatrit shqiptar?
Unë kam punuar në Estradën e Tiranës për 25 vjet, e kam për nder që kam qenë pjesë e Varietesë së Tiranës dhe punët e mia të para m’i kanë dhënë regjisorët e mëdhenj të Estradës, si Sheri Mita, i cili tashmë nuk është më mes nesh dhe kur e kujtoj përlotem pa fund për atë ikonë të skenës dhe regjisë shqiptare, sepse tek ai njeri unë kam marrë kulturën e tij, thjeshtësinë e tij, butësinë e tij, ai ishte një njeri që vetëm mirësi shprehte nga goja e tij. Kemi punuar me Pirro Manin, kur ai ishte një mjeshtër i madh i skenës, ku aty kam kuptuar një disiplinë artistike dhe një profesionalizëm të saktë nga Pirro Mani; kam luajtur me Leka Bungën, profesionist dhe një kinemadiograf i mrekullueshëm; kam punuar me Filip Çakullin, Bujar Kapexhiun, Fatos Haxhirën, Gjergj Vlashin, filozofin e skenës shqiptare e shumë emra të tjerë që tani nuk më vijnë në mendje. Për ne është fat që kemi punuar me këto breza që kanë ditur të bëjnë artë me profesionalizëm, pasi dashur pa dashur na kanë dhënë kulturën e tyre, sharmin e tyre. Pra, Estrada e Tiranës ka pasur gjithë këta regjisorë, ku ne si grup kemi ditur të punojmë me komedi, skeçe, monologë, ku sot televizionet e botës bëjnë këto monologë që ne i kemi bërë prej vitesh. Në teatrin e Varietesë kam mësuar që mos të kesh turp kur punon, një profesionist i mirë nuk ka turp, në tavolinë hidhet, aty kam mësuar që nuk është turp të luash rolin e një plake kur je moshë e re.

Karriera juaj është shumëdimensionale. Nga një monolog kalon tek një skeç, një show-televiziv, monodramë, tek një teatër absurd apo komedi. Si mundet që një aktore të realizojë shumë karaktere?
Unë tek filmi “Gjoleka i biri i Abazit” gjeta veten time dhe të gjithë këtë emocion ia dedikoj Dhimitër Anagnostit, ku, pas këtij filmi, direkt u emërova në Teatrin Kombëtar dhe luajta dy pjesë me regji të Spiro Dunit, “Venecia” bashkë me “Këngëtarja tullace” dhe një pjesë të Kadaresë “Darka e gabuar” ku kisha katër personazhe dhe të katërta ishin karaktere. Më pas u aktivizova në një sitecom me regji të Erand Sojlit prej 20 puntatash, luajta me Pluton Vasin në filmin “Shqetësimet e një obezi”, ku mori dhe një çmim në një festival në Londër, më pas nisa rrugëtimin me filmin “Maja” dhe nga momenti që unë u emërova në Teatrin Kombëtar e deri tani kam ndjerë kënaqësinë e një aktroje. Rikthimi tek komedia “Fqinjët” mbase ishte dhe një akumulim energjie dhe ishte momenti që unë të shpërtheja në skenë sërish. Nganjëherë na ngatërrohet puna e lekut, por po të dish ta ruash veten kështu siç bëra unë, në këtë rast, më rikthimin tim në komedi.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira që ju kanë ndjekur gjatë karrierës suaj artistike?
Peripeci ka pasur shumë, por kam bindjen që me atë punë që kam bërë unë kanë kaluar në heshtje. Natyra ime është që nuk hyj në debat, por po hyra në debat personi apo persona në fjalë fshihet tërësisht nga kujtesa. Kam zgjedhur rrugën e njeriut indiferent në momente të tilla kur janë fjalët poshtë e përpjetë, ndërsa kur jam përball përballem me çdo situatë nuk jam natyrë servile, pasi kam personalitetin tim. Në momentet më të vështira në karrierën time, si, për shembull, marrja e roleve që nuk kam mundur të m’i ofrojnë kam gjetur mënyrën për ta kaluar. Gjendjen time nuk e shpreh në shtëpi tek familja, siç ndodh shpesh herë, por marr qenin dhe iki në pishinë deri sa të më kalojë ai moment. Kur njeriu ka peripeci në familje, siç është humbja e mamasë sime, të tjerat janë zero për mua, njeriu duhet të dijë të shijojë njerëzit që ka pranë. Gjithmonë kur kam pas një brengë e kam realizuar me mbështetjen e familjes sime.

Ka ndonjë pasion Marjana Kondi?
Pishinat dhe Terri, miku im besnik që më shoqëron janë pasionet e mia. Terri është një kafshë që mua më jep kënaqësi, më mban në formë sistemin nervor dhe trupin. Çdo ditë, kur koha është e mirë, ngrihem bashkë me Terrin dhe eci nga liqeni. Por, përveç ecjes, pasion për mua është edhe pishina. Pishinën e frekuentoj si në verë, ashtu dhe në dimër. Një ndër kënaqësitë e mia është dhe vajtja në Durrës në fundjavë. Ndërsa në verë ndjek vijën bregdetare nga jugu në Veri në Velipojë.

Si nis një ditë e Marjanës larg dyerve të teatrit?
Kafe me komshijen në mëngjes, nëse unë nuk kam prova në teatër. Sigurisht, bëhen punët e shtëpisë dhe vihet dreka përpara. Për mua është shumë e rëndësishme përkujdesja ndaj familjes sime.

Mund të na tregoni pak për familjen dhe marrëdhënien me vajzën?
Marrëdhëniet me të janë shumë të mira. Ajo është më tepër natyra e tim shoqi, kanë interesa të tjera që janë larg artit. Ndërsa, im shoq, Tani, më ka kërkuar vetëm preokupimin maksimal në familje, asgjë tjetër. Me të kam pasur shumë fat, sepse asnjëherë nuk më ka penguar në asgjë. Që në lidhjen tonë, ashtu si familja ime edhe dashuria që familja e tim shoqi, më dhuroi, më bëri një njeri me fat, pasi ata më kanë mbështetur shumë në karrierën time. Në jetën time, gjithmonë kam pasur parasysh katër muret e shtëpisë sime, bashkëshortin, vajzën dhe qenin tim të dashur. Familja dhe profesioni më kanë ecur paralel dhe më kanë dhuruar çdo ditë emocion dhe kënaqësi për të jetuar me dashuritë e tyre.

Siç theksuat, miqtë janë pika juaj e dobët...?
Vetë natyra ime, por dhe profesioni, ka bërë që unë të shoqërohem më tepër me shokë. Kështu në lagje, me orë të tëra unë shoqërohem me Dashnor Dikon, dhe të gjithë miqtë e mi, ku batuta dhe humori janë të pafundme. Ndërkohë, vlen të kujtohen dy vitet me Met Begën kanë qenë kohë të arta, pasi kam shëtitur pothuajse gjysmën e botës me shumë emra të njohur të skenës shqiptare si Artjola Toska, Dashnor Diko, Mariza Ikonomin, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi e shumë të tjerë. Shpesh herë mblidhemi dhe kujtojmë ato momente që na kanë shoqëruar nëpër skena dhe përballë mijëra shqiptarëve.

Keni ndonjë peng të parealizuar?
Kam momente dhe brenga. Jam shumë mirë kështu siç jam. Ndjehem e realizuar në çdo aspekt, prandaj ia lemë të gjitha kohës.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk