Vera Grabocka, e para regjisore femër me titullin “Mjeshtër i Madh”
Ilda Lumani
Ajo ka marrë gjithë vlerësimet e
mundshme nga audienca që e ka ndjekur me fanatizëm dhe entuziazëm në të gjitha
projektet televizive. Spektakle që thyenin tabu, sillnin risi dhe inovacion, që
në të parin program kushtuar këngëtarit më të mirë në muzikën popullore (ku u
shpall fituese Eli Fara), për të vijuar me serialet me numrin e shenjtë 12, që
u bënë programe hit të të gjithë kohërave në vend. Sot, regjisorja dhe producentja
Vera Grabocka që ka promovuar me qindra të rinj që janë kthyer në yje të
ekranit, është duke drejtuar një nga programet më impenjativ dhe më të
suksesshëm në televizionin Klan, “X Factor Albania”. Të enjten në mesditë,
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi asaj urdhrin Mjeshtër i Madh me
motivacionin: “Regjisores dhe producentes së mirënjohur të televizionit, që me
talentin dhe karakterin novator solli ndryshime cilësore në spektaklin
televiziv në Shqipëri, duke e orientuar drejt vizionit perëndimor etik dhe
estetik e njëherazi promovoi fuqishëm kulturën kombëtare dhe artistët e rinj”! -
ne i kemi shkëputur disa emocione në harkun e pushimeve të provave për
spektaklin e radhës së “X Factor Albania”, që vjen çdo të diel në shtëpitë e
gjithë shqiptarëve!
Vera, çfarë domethënie ka për ju titulli “Mjeshtër i Madh”, i akorduar
nga Presidenti i Republikës?
Që të jem e sinqertë, nuk kam
pasur ndonjëherë ambicieje përgjatë viteve të punës të marr çmime e tituj, por
perceptimi i publikut ka qenë shumë pozitiv dhe vlerësues. Një nga të rinjtë e
stafit më tha “është Oscari i jetës tënde”. Kam ndjerë jo vetëm vlerësimin dhe
nderimin e z. President, por në gjestin e tij ndjeva dashurinë e të gjithë
atyre që kanë vlerësuar pasionin tim për një ndër dashuritë më domethënëse të
jetës, punën.
Çfarë përjetuat në çastin kur u citua vlerësimi për ju si një femër e
jashtëzakonshme që solli frymën perëndimore dhe ndryshoi ekranin shqiptar?
Ndjeva të gjitha çastet e bukura
të punës të më shfaqeshin si film me metrazh të shkurtër në pak minuta.
Ndjeva se si vitet e një pune,
pas të cilës Pandi Laço do të thoshte "e apasionuar deri në aventurë",
të më shfaqeshin përpara syve me shpejtësinë e dritës vetëm në pak minuta si për
të më ndërgjegjësuar që pas dashurisë, me të cilën u rrita në familje, pas
dashurisë për Timon që solli në jetë Lindën, puna ka qenë magjia e jetës.
Keni marrë shumë urime dje, cilin prej tyre do të veçonit?
Ka qenë mbresëlënëse dhe e
paparashikueshme! Kam marrë urime pafund, ndoshta me shumë se urimet e
spektakleve. Ndër të paktat herë që unë ndaj me publikun disa minuta në
mikrofon, gjë për të cilën ndjej shpesh pasiguri, sepse përjetësisht dashuria
ime e madhe do të mbetet puna pas kamerave dhe komunikimi i heshtur me publikun
përmes një pune që flet vetë. Por atë çast që më gjeti të papërgatitur pas
marrjes së trofeut zyrtar, foli zemra ime, ishin fjalë të sinqerta që shprehën falënderim
e mirënjohje për ata, pa të cilët s’do isha ajo që jam: familjen, miqtë, kolegët,
publikun dhe njeriun që më ka falënderuar gjithmonë, por të cilit s’ia kisha këmbyer
asnjëherë publikisht dashurinë, Timo Fllokon. Është sekreti nga buron frymëzimi
dhe kreativiteti.
Duke qenë se jeni në proces pune në një spektakël mjaft impenjativ si “X
Factor”, ju motivon më shumë ky vlerësim?
Çdo projekti i jap të njëjtën kohë
dhe dashuri, sepse për mua ka vetëm një dominancë dhe fokus: suksesi. Vlerë e
shtuar e këtij suksesi është padyshim ky çmim.
Për sa i përket “X Factor” keni marrë komente më superlativë nga
publiku, por edhe nga krijuesi i patentës, Simon Cowell. Ju vetë, si do ta komentonit këtë
sukses të radhës?
Kur vlerësimin e jep babai i kësaj
shpikje është kënaqësi e madhe. Simon është një gjeni i medias ndërkombëtare. “X
Factor” është pa dyshim një formulë me shumë sekrete, por eksperienca bën
perfeksionin dhe mendoj që gjithë këto vite përvojë në televizion, në kohën e
duhur me njerëzit e duhur... na avantazhojnë dhe lehtësojnë rrugën drejt të
suksesshmes. Shpresoj që publiku ta pëlqejë deri në fund!
Comments
Post a Comment