Gjovalin Shkurtaj: Shqipja në “krizë”, si mund ta shpëtojmë
Luljeta Ndoka
Gjuha shqipe duket se po kalon
ditë të vështira. Shkaktarë të kësaj, duket se janë jo thjesht barbarizmat, tendenca
për të shqiptarizuar fjalë të huaja, ndikimi i përhapjes në masë të internetit,
por edhe fakti se nuk i kushtohet vend aq sa duhet në shkolla mësimit të kësaj
gjuhe. Gjuhëtari i vjetër Gjovalin Shkurtaj, akademik dhe njëkohësisht anëtar i
Këshillit Ndërakademik Kombëtar të Gjuhës Shqipe, në një intervistë për gazetën
“Koha Jonë”, tregon “plagët” që mundojnë gjuhën tonë amtare, si dhe propozon
zgjidhje për të mënjanuar gabimet që bëhen në gjuhën shqipe. Më së shumti,
prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj i mëshon faktit se i duhet kushtuar mjaft kujdes në
shkollën e mesme kësaj gjuhe, ndaj sugjeron që ajo të jetë lëndë e veçuar nga
letërsia. Përveç kësaj, ai është i mendimit se gjuha shqipe duhet të jetë një
lëndë mjaft e rëndësishme, si dhe të testohet si një ndër provimet me detyrim,
ashtu sikurse bëhet edhe në vendet të tjera.
Profesor, jeni një njohës i mirë dhe studiues i gjuhës shqipe. Çfarë po
ndodh me të, nga viti në vit, duke qenë se ju jeni shprehur se gjuha shqipe në
kohën e sotme rezulton të jetë në kuadrin e dygjuhësisë dhe bilingualitetit?
Përparësia që i është dhënë
anglishtes në të gjitha nivelet e arsimit shtron me forcë e ngut përmirësimin e
statusit të shqipes si gjuhë e parë, si gjuhë e nënës dhe si “gjuhë e zemrës”
në të gjitha hapësirat shqiptare e shqipfolëse të trojeve kompakte ballkanike,
madje edhe në diasporën shqiptare. Të nxënët dhe përdorimi i gjerë i anglishtes
dhe i gjuhëve të huaja të tjera, sidomos i italishtes, që përhapet shumë edhe
nëpërmjet televizionit e radios, kanë sjellë dobi në përparimin e shkencës, të
teknikës, po edhe në artin e në kulturën e intelektualëve shqiptarë, si në
Shqipëri, ashtu edhe më gjerë. Ndërkaq, nga ana tjetër, kjo ka pasur edhe
pasoja të pamira në nxënien, vlerësimin dhe kujdesin për gjuhën shqipe. Kudo ka
rendje pas anglishtes, pëlqehen e blihen me ëndje librat dhe revistat në
anglisht e në gjuhë të tjera të huaja, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe
për gjuhën shqipe. Përkundrazi, ka pasur rënie të ndjeshme të kujdesit ndaj të
nxënit të shqipes dhe, sidomos, mungesë vullneti e dëshire për ta pastruar,
pasuruar dhe mbrojtur shqipen.
Kush është përgjegjës për këtë mungesë kujdesi e mbështetjeje ndaj
gjuhës shqipe?
Në radhë të parë është për t’u
kritikuar rënia e disiplinës së shtetit dhe e institucioneve shtetërore e
shoqërore të lejuara prej tij, ndaj gjuhës shqipe. Nuk zbatohet drejtshkrimi i
njësuar i shqipes, ka thyerje të rënda të normave të të shkruarit edhe në
fushën akademike, duke u theksuar prirja për të shkruar me të madhe çdo lloj
emërtimi, pa asnjë kriter drejtshkrimor. Të gjitha rubrikat e reja të
televizioneve shqiptare, ndërsa në Itali e gjetkë në Euvropë, përkthehen nga
anglishtja, si p.sh., “Grande Fratello”, “Ballando con le stelle” etj. Në televizionet shqiptare shkruhen e
shqiptohen vetëm sipas anglishtes.
Si ka ndikuar përhapja në masë e internetit tek gjuha shqipe, sidomos
tek të rinjtë?
Gjuha shqipe në internet ose në
mesazhe me celular po karakterizohet nga synimi për shkurti dhe shpejtësi
kumtuese, çka është edhe e kuptueshme, le të themi edhe e pranueshme, por
bashkë me këtë cilësi po shumohen në atë lloj ligjërimi edhe elemente të
“ligjërimit të fshehur” e ku, krahas anonimatit e përdorimit të shtuar të
pseudonimeve, po vërshojnë edhe shkruarje fjalësh mbrapsht, fjalë banale etj.
karakteristike të zhargonit rinor. Deri këtu, sidoqoftë, nuk do të ishte rasti
për t’u shqetësuar, porse puna është se shprehjet e përdorura gjatë komunikimit
në internet që krijohen për të kursyer kohë gjatë bisedave, ( si “flm”, “sps”,
tdsh, tkxh etj.), kalojnë edhe në praktikën shkollore, duke mos i kushtuar
kujdes aspak të folurit dhe të shkruarit letrar, madje këto kalojnë në shprehi,
të cilat bartin me vete shumë ndikime negative tek nxënësit. Të rinjtë janë
përgjegjës për një numër të konsiderueshëm risish leksikore (krijimi i fjalëve
dhe frazave të reja) në shqip, dhe për rrjedhojë studentët, si më të
talentuarit gjuhësisht për shkak të formimit arsimor të tyre qëndrojnë në krye
të kësaj dukurie. Kurse zhargoni dhe ligjërimet e fshehta lindin kryesisht në institucione të tilla si burgjet,
kazermat e ushtrisë, po edhe kolegjet dhe shkollat kanë krijuar gjithmonë
kushtet e përshtatshme për një “gjuhë të re”. Një institucioni i tillë është
edhe universiteti, i cili përbën një hapësirë sociale ku studentët formojnë
qarqet e tyre shoqërore. Ai është gjithashtu një lidhje, një pikë ku shumë
ndikime të ndryshme vijnë së bashku. Gjuha e foshnjërisë, e shkollës 9-vjeçare
dhe të mesme është e përzier me fjalë të marra nga prindërit, librat,
televizioni dhe interneti.
Në një shkrim tuajin, ju keni shprehur edhe mendimin tuaj lidhur me
disa “ngërçe të alfabetit të shqipes që pasqyrohen edhe në drejtshkrim”, çfarë
mund të na thoni më konkretisht për atë ide?
Fjala është për disa probleme, në
dukje të vogla, por me pasoja të dukshme në drejtshkrim e në drejtshqiptimin e
shqipes së sotme: a) shqiptimi i shkurtesave dhe b) problemi i fjalëve dhe
emrave të huaj që përmbajnë shkronjën \w\). Shtimi i emrave të huaj me atë
shkronjë po merr përmasa të mëdha dhe, ndoshta, normëvënësit ka ardhur koha të
kryejnë edhe ndonjë shtesë të rregullave drejtshkrimore lidhur me atë rast. Po
edhe për ndonjë dukuri tjetër. Përvoja e zbatimit të disa normave të
drejtshkrimit të shqipes ka treguar se pikërisht në gjënë më të thjeshtë, në
abëcënë (alfabetin) e shqipes, gati masivisht folës e redaktorë të emisioneve
radiotelevizive, po edhe shumë njerëz të shkolluar të gati të gjitha mjediseve
shoqërore, gabojnë dhe po i shqiptojnë kundër natyrës së shqipes shumë prej
shkurtesave, si dhe emra të përveçëm të huaj e shqiptarë. Gjithmonë kemi thënë
FëBëI, tashti “modernët” po e thonë vetëm eFBiaI. Pak, shumë pak janë ata që
thonë dërgoj një SëMëSë, më të shumtët thonë eSeMeeSe; pra, po na shtohen si
kërpudhat e kërmijtë mbas shiut edhe shqiptimet sipas gjuhëve të huaja e
sidomos sipas anglishtes. Po edhe shumë njerëz, sidomos prej atyre që e mbajnë
vetën si VIP po e bëjnë zakon të thonë kllëb në vend të klub, për të mos
përmendur fjalët mirëfilli të huaja të tipit llajf (muzikë llajf), fajll,
fejsbuk, majkrosoft. Në një kumtesë të mbajtur parvjet në Seminarin e
Prishtinës, po edhe në disa artikuj të botuar e në biseda në radio e
televizione, kam pyetur me ironi: po me automobilin e shkretë dhe me Klubin e
Selanikut të Çajupit çfarë do të bëjmë?! Kur do të nisemi të themi edhe
automobajll e automobajllizëm? Kur do të fillojmë të lexojmë edhe “Kllëbi i
Selanikut”.
A po varfërohet gjuha shqipe?
Norma e sotme gramatikore po
ndeshet me trysninë e fortë e gërryese të gjuhëve të huaja, sidomos të gjuhëve
që dallohen shumë nga natyra eptimore e shqipes, si anglishtja, gjuhë kryesisht
idiomatike që nuk ka as lakim emrash as zgjedhim foljesh etj. Ndikimi i
shqiptimit të gjuhëve të huaja, pa përmendur vërshimin e fjalëve dhe termave të
huazuar, po ia marrin frymën shqipes, duke dëmtuar sidomos atë që quhet
etnografi e të folurit shqiptarisht. Deri edhe pasthirrmat shqiptare po
pakësohen duke na u servirur në vend të tyre pasthirrma të gjuhëve të huaja, a
thua se televizionet tona i shohin dhe i mbajnë gjallë të huajt e jo forca
blerëse e kontribuuesve dhe e shikuesve shqiptarë.
Çfarë këshilloni që të “shpëtojmë” gjuhën shqipe?
Të mos përulemi para së huajës,
të mbrojmë tonën, sidomos atë pjesë që dihet se e kemi të mirë, të bukur e të
pavdirë: Strukturën morfologjike të shqipes. Mbi të gjitha duhet të veprojmë si
fqinjët tanë italianë, si francezët dhe si krejt bota e qytetëruar: T’i japim
vendin e duhur gjuhës amtare në shkollat e mesme, si dhe në shkollat e larta,
të flitet e të shkruhet më shpesh për vlerat dhe bukuritë e shqipes, të kemi
edhe në televizionet tona rubrika për kulturën e gjuhës, si p.sh. emisioni i
RAI-1 me titull “Pronto socorso linguistico” (Urgjenca gjuhësore), ku prof.
Sabatini, gjuhëtar i njohur, u përgjigjet pyetjeve të teleshikuesve për
probleme gjuhësore, për dukuri të normës dhe thyerjeve të saj. Me shumë
rëndësi, gjithashtu, është rivendosja e kërkesave të rrepta për drejtshkrimin,duke
punësuar në të gjitha redaksitë e gazetave, revistave etj., korrektorë letrarë
dhe duke e bërë rregull kujdesin për gjuhën shqipe. Si na porosiste Naimi i
pavdekshëm: “Shqip të flisni përherë, thjesht e të papërzierë”.
Përmendët që duhe t’i jepet vendi i duhur gjuhës sonë, në shkollat e
mesme dhe të larta. Konkretisht, si mendoni se mund të realizohet kjo?
Sugjeroj që gjuha shqipe të jetë
një lëndë e veçantë dhe të ketë peshë mjaft të rëndësishme dhe jo të shërbejë
si aneks i një lëndë tjetër. Gjithashtu, kjo lëndë duhet të jetë një provimi
detyruar dhe mjaft i rëndësishëm madje. Në shtetet e tjera, gjuha amtare është
një nga provimet më të rëndësishme, si masë për ta mbrojtur atë dhe në rastin
më të mirë, për ta pasuruar. Nga ana tjetër, do të ishte mirë që gjuha shqipe
të mos mësohet vetëm në një vit të shkollës së mesme, por në të gjitha vitet, pa
përmendur domosdoshmërinë që asaj t’i kushtohet një vëmendje e veçantë edhe në
shkollat e larta.
Biografi
Kush është Gjovalin Shkurtaj
Gjovalin Shkurtaj lindur në vitin
1943 në Shkodër, është studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ka kryer
shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Shkodrës më 1962 dhe studimet e larta
për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës më 1966. Në vitin
1966-1967 ka qenë arsimtar në rrethin e Lezhës. Nga shtatori i vitit 1967 deri
në maj të vitit 1989 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë
të Akademisë së Shkencave. Gjatë periudhës 1989-1991 ka qenë i ngarkuar si
këshilltar i kulturës në Ambasadën Shqiptare në Romë si dhe Përfaqësues i
Shqipërisë pranë Organizatës Botërore të Bujqësisë (FAO) dhe Organizatës
Botërore të Ushqimit (WFP). Qysh nga maji i vitit 1991 është emëruar pedagog në
Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë në
Universitetin e Tiranës. Aty drejton sektorin e gjuhësisë së sotme. Është
titullar i tri lëndëve. Ka kryer një sërë studimesh të gjuhës sonë dhe është
akademik dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Ndërakademik Kombëtar të Gjuhës
Shqipe.
Comments
Post a Comment