Fatet dhe misteret e Mozartit dhe Salierit
Në realitet, Amadeus Mozart
kishte një emër shumë më të gjatë: ishte pagëzuar me emrin Johannes
Chrysostomus Wolfgangus Theophilus Mozart. Katër emrat e Amadeus e
kishin veçanërisht nga një arsye qenieje
MOZARTI DHE KOHA E TIJ
Kompozitori, të cilin e njohim si
Wolfgang Amadeus Mozart, lindi në Salyburg në orën 20 të 27 janarit
1756, nga Anna Maria Pertl dhe Leopold Mozart, dhe vdiq në Vjenë, pak më
shumë se 35 vjeç, 5 dhjetorin e vitit 1791. Shkurtimisht do ta quajmë
Wolfgang ose Amadeus Mozart. Qe fëmijë gjeni tipik që në moshën
4-vjeçare krijonte notat e para në pianon e të jatit, ndërsa në moshën
5-vjeçare kompozonte minuetin e parë të tij. Në janar të 1772 Amadeus
ishte tashmë profesionist: vetëm 6 vjeç debutonte duke marrë pjesë në
një koncert me motrën Nannerì (e cila ishte 11 vjeçe) në oborrin e
Princit të Mynihut të Bavarisë.
Por ai koncert është vetëm fillimi i një
karriere që është frenetike. Në shtator të po atij viti, të dy
vëllezërit Mozart mbajnë një koncert tjetër shumë të duartrokitur
përpara Perandores Maria Tereza të Austrisë. Pa u ndalur, në fund të po
atij viti, me babain Leopold dhe motrën, niset për turin e tij të parë
jashtë vendit. Është një seri koncertesh dhe triumfesh: nga Mynihu në
Augusta, nga Ülm në Frankfurt, nga Shën Petërburgu në Paris. Këtu trioja
bën një pauzë prej 3 muajsh. Nga ana tjetër, siç ndodh me një yll të
muzikës, e gjithë jeta e Amadeusit do të jetë një seri turneshë.
Pse-ja e shumë emrave
Në realitet, Amadeus Mozart kishte një
emër shumë më të gjatë: ishte pagëzuar me emrin Johannes Chrysostomus
Wolfgangus Theophilus Mozart. Katër emrat e Amadeus e kishin veçanërisht
nga një arsye qenieje: Johannes Chrysostomus i ishte dhënë në nderim të
Shën Gjon Kristosomit, pasi festa e tij përkonte me atë të lindjes (27
janar). Wolfgangus në gjermanisht do të thotë ai që “ecën si ujk” dhe i
ishte vënë në nderim të familjes mëmësore. Emri Theophilus ishte një
nderim ndaj kumbarit, Johann Theophilus Pergmayr, tregtar me poste
civile (këshilltar civil). Për shkurtim i jati e quante “Wolferl”, por
familjarisht quhej thjesht Amadeus.
Vitet e para
Amadeus Mozart kishte lindur kështu në
Salzburg, qytetin e lashtë në rrugën e kripës (Salzburg – Saltzburg – do
të thotë pikërisht “qytet i kripës”) dhe qyteti ishte kryeqytet i
arqidioqezës me të njëjtin emër të një territori sovran të perandorisë
së Shenjtë Romake, në Qarkun Bavarez (aktualisht është territor i
Austrisë së Sipërme). Sipas traditës, Wolfgang u pagëzua të nesërmen e
lindjes në Katedralen e Shën Rupertit. Prindërit e Wolfgang kishin
pothuajse të njëjtën moshë dhe qenë personazhe shumë aktivë në shoqërinë
e tyre: babai Leopold ishte kompozitor, mësues muzike dhe zëvendës
“kapellmeister” pranë oborrit të Arqipeshkëvit Anton Firmiane; e ëma
Anna Maria Pertl (1720-1778) ishte bijë e një prefekti. Të dy
bashkëshortët patën shumë fëmijë, por mbijetuan vetëm Wolfgang dhe motra
e madhe Maria Anna (1751-1829), e quajtur Nannerl apo Nannette.
Pothuajse e kotë të thuhet se në këtë shtëpi thithej muzikë. Të gjithë i
binin më shumë se një instrumenti dhe Wolfgang nuk përbënte përjashtim.
Qe menjëherë e qartë se ishte ai që sot do ta quanim një “énfant
prodige”: qysh në moshën 3-vjeçare fuste duart në klaviçembalin e të
jatit; në moshën 4-vjeçare luante me to dhe në moshën 5-vjeçare
kompozonte. Ishte, veç të tjerash, i pajisur me një kujtesë të
mrekullueshme, e cila u bë menjëherë proverbiale, së bashku me koncertin
e kompozuar në moshën 5-vjeçare, në frikën e tij të parë nga tingulli i
trombës, në veshin muzikor të tij që i mundësonte të kompozonte
përmendësh.
Në moshën 6-vjeçare, i ati e çoi atë dhe
motrën e tij (edhe ajo instrumentiste e mirë) në Mynih ku, siç e kemi
thënë tashmë, dhanë shfaqje për oborrin e Elektorit të Bavarisë; muaj më
pas treshja u spostua në Vjenë, ku iu paraqitën oborrit perandorak. E
kotë të thuhet se Leopoldi, babai, shumë shumë krenar për Wolfgang të
cilin e quante “Mrekullia që Zoti e ka lindur në Salzburg” dhe ai
ndjehej në detyrim që t’ia bënte të njohur të gjithë botës ndoshta duke
fituar diçka. Aq është sa në mesin e vitit 1763 Leopoldi siguroi
licencën e pezullimit të impenjimit të vet si zëvendës-Kapellmeister
pranë Arqipeshkëvit të Salzburgut. Kjo licencë i mundësoi familjes
Mozart që të udhëtonte nëpër Europë për më shumë se 3 vjet, gjatë të
cilëve prekën ato që qenë qendrat kryesore muzikore të Europës
perëndimore: nga Parisi në Mynih, por edhe në Augusta, në Stutgart, në
Mannheim, në Magonza, në Frankfurt dhe në Bruxelles, pastaj Londra (ku
qëndruan për 15 muaj). Kthimi ndoqi një itinerar nëpërmjet Hagës,
Amsterdamit, Parisit, Lionit, Zvicrës. Natyrisht që Wolfgang dha shfaqje
në pjesën më të madhe të këtyre qyteteve, nganjëherë vetëm, nganjëherë
me të motrën; në një oborr, në publik apo në një kishë duke ngjallur
admirim të pakushtëzuar dhe universal. Qe edhe një periudhë aktiviteti
kompozues intensiv. Më së fundi, në nëntor të vitit 1766, qenë sërish në
Salzburg. Nuk do të qëndrojnë gjatë: pas pak më shumë se 9 muajsh, në
shtator të 1767, Mozart-ët u nisën për Vjenë, ku u ndalën për 15 muaj,
përjashto një interval të shkurtër për një qëndrim në Brno (Brünn) e
Olomuc (Olmütz) gjatë një epidemije lije dhensh.
Në tetor të vitit 1767 Amadeus u bë
“Konzertmeister” honorifik në oborrin arqipeshkvor të Salzburgut. Kjo
nënkuptonte se Arqipeshkëv – Konti i njihte një Mozart-i pothuajse 13
vjeçar një familjaritet të konsiderueshëm me gjuhën muzikore të kohës së
tij. Ndërsa sonatat e para (ato të Parisit dhe Londrës) qenë kompozuar
me ndihmën e babait Leopold, simfonitë e mëpasme të Londrës dhe të Hagës
verifikojnë fitimin e shpejtë dhe konkret nga ana e Mozart të muzikës
që kishte hasur. Fitim i konfirmuar në simfonitë e kompozuara në Vjenë
(vepra KV 43 dhe sidomos KV 48), të karakterizuara nga një teksturë më e
pasur dhe nga një zhvillim më i thelluar. Veç të tjerash, vepra e tij e
parë italiane tregon një kuptim të shpejtë të teknikave të stilit
komik.
Periudha e Mannheim dhe e Parisit
Turneu i gjatë nëpër Europë pati meritën
që t’i bëjë të vetëdijshëm të dy Mozart-ët për faktin se një oborr i
vogël provincial si ai i Salzburgut nuk ishte bërë për të kënaqur
aspiratat e gjeniut të vogël. Qe kështu që në vitin 1777, i shoqëruar
nga e ëma, u nis në kërkim mundësish të reja. Në këtë periudhë Wolfgang
mbajti një korrespondencë të dendur me të atin, korrespondencë që
dokumenton një ndryshim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis babait
Leopold dhe një Wolfgang, tashmë 21-vjeçar që ndjente gjithnjë e më
shumë nevojën për t’u çliruar nga dominimi i prindit. Ndërsa babai
Leopold, nga ana e tij, ishte gjithnjë i prekur nga preokupime me
karakter ekonomik dhe kontingjente që morën përmasa patologjike. Është
jashtë çdo dyshimi se aventura me të ëmën pati ulje-ngritjet e saj: me
fjalë të tjera, nuk u bë ai shtrat me trëndafila e lule që priste,
përveç intervalit erotik me kushërirën Maria Anna Thekla (i cili ka
mbetur i dokumentuar në një epistolar sa plot me humorizëm, aq edhe
alegro dhe i turpshëm). Në tetor Mozart dhe e ëma u spostuan në
Mannheim, që ishte një qendër me rëndësi parësore e Europës muzikore.
Kësaj radhe Wolfgang arriti që të futej në oborrin e Eleketorit të
Palatinatit. Qëndrimi në Mannheim zgjati më shumë se katër muaj,
pavarësisht faktit që Mozart e kuptonte se as aty nuk kishte vend për
të. Megjithatë, Amadeus u bë mik me muzikantë të ndryshëm të Mannheim,
gjeti mënyrën të mësojë muzikë e të luajë dhe, më së fundi, u dashurua
me Aloysia Weber, soprano, e dyta e katër vajzave të një kopisti muzike.
Kompozoi sonata të ndryshme për
pianoforte, por edhe për pianoforte e violinë. Megjithatë, një projekt
udhëtimi në Itali në shoqërinë e Weber-ëve u gjykua krejtësisht i
papërgjegjshëm dhe u refuzua me neveri nga babai Leopold: “Ik në Paris!
Dhe që shpejt të arrish të gjesh vendin tënd midis njerëzve të mëdhenj:
aut Caesar aut nihil!”. Sigurisht që Leopold nuk ushqente shumë besim
tek i biri dhe plani i tij parashikonte që edhe në kryeqytetin francez
të shoqërohej nga e ëma. Në kompleks, gjërat në Paris ecën gjithsesi
mirë: Wolfgang gjeti shumë shpejt të punojë dhe në mars të vitit 1778
debutoi me Simfoninë KV 297 në Re Minor me shije tipike parisiane. Por
Parisi shënoi edhe fundin e së ëmës: e sëmurë në debutim, Anna Maria
Pertl vdiq më 3 korrik të vitit 1778 dhe u varros në varrezën Saint
Eustache; në funeralin e saj qenë të pranishëm vetëm i biri Wolfgang dhe
miku Heina.
Mozart u detyrua që të strehohej pranë
Friedrich Melchior, Baron von Grimm; nga këtu, pak më vonë i shkroi
babait Leopold një letër, në të cilën deklaronte se i shikonte në mënyrë
pesimiste perspektivat e një pranie të mëtejshme në Paris. Leopold iu
desh ta negocionte rimarrjen e të birit në oborrin e Salzburgut, pranë
Arqipeshkëvit (Hyeronimus Colloredo). Kësaj radhe, nuk mund të siguronte
më shumë se një post organisti të thjeshtë. Wolfgang nuk kishte se
çfarë të bënte veçse të pranonte, megjithëse me zemër të thyer. Në janar
të vitit 1780 ai ishte sërish në Salzburg. Prishja me Arqipeshkëvin
tashmë ishte në ajër, pasi puna si organist ishte jashtëzakonisht
reduktuese për një njeri që kishte shijuar triumfin në Paris. Për më
tepër, në Salzburg organisti Mozart u gjend nën urdhrat e të atit që
mbulonte rolin e zëvendësdrejtorit të Kapelës. Ndërsa i ati gëzonte një
pozicion të rëndësishëm (ishte me rrogë fikse), Wolfgang kthehej të
ishte një artist i pavarur që fitonte vetëm kur thirrej. Ky fakt
përfundoi me thellimin e kontradiktave babë e bir të lindura në epokën e
turneut të munguar në Itali, pa llogaritur se, për më tepër, Amadeus
ishte pushtuar nga idetë e lirisë që do të çonin në Revolucionin
Amerikan dhe në atë Francez. Kontradiktave me të atin i shtoheshin edhe
ato me Arqipeshkëvin e Salzburgut, që nuk arriti asnjëherë të kuptojë se
kishte në shërbimin e vet një gjeni. Është megjithatë e vërtetë se
Mozart kërkonte gjithnjë e më shumë licenca të jashtëzakonshme, për më
tepër gjithnjë e më të gjata, gjë që natyrisht Colloredo mezi e duronte.
Ndoshta për gjithë këto motive Mozart u kushtua krejtësisht dhe me
entuziazëm në kompozim. Në fund të 1780 ndodhej në Mynih, ku më 29 janar
të vitit 1781 doli në skenë “Idomeneo” (që korri një sukses të madh).
Pikërisht në atë periudhë vdiste Perandorja Maria Teresa dhe
Arqipeshkëvi Colloredo iu desh që të shkonte në Vjenë për funeralin.
Kthesa: Mozart në Vjenë
Kjo seri evenimentesh çoi në një kthesë
në kuptimin e vërtetë të fjalës në jetën e Ëolfgang: Prania e Collaredo
në Vjenë siguroi pretekstin (domethënë, e “shtrëngoi”) Wolfgang që të
arrinte Arqipeshkëvin në Vjenë dhe të qëndronte ne kryeqytet më shumë
sesa duhej. Zyrtarisht duhej të bashkohej me punëdhënësin e tij. Në
realitet, ndoqi qëllimin që të punësohej nga Perandori i ri Jozefi II,
nga i cili arriti që të njihej. I befasuar nga sjellja e tij,
Arqipeshkëvi e flaku vërtet jashtë nga pallati nga shambelani i tij me
një shkelm bythëve “historik”. Të kota lutjet e babait Leopold (që
ndoshta kishte shpresa të tjera): i punësuar, i biri për momentin
qëndronte në Vjenë për të jetuar si artist i lirë, domethënë pa
impenjime fikse, megjithëse duke kompozuar muzikë për oborrin. Në fakt,
Mozart qëndroi në kryeqytetin austriak, përjashto periudha të shkurtra,
gjatë të gjithë jetës së tij, duke kompozuar muzikat e tij më të mira
dhe duke vdekur i ri, pa e njohur suksesin e vërtetë. Vetëm në vitin
1787 u emërua kompozitor i oborrit, një post modest për sa i shpërblyer
me 800 fiorina në vit (të kihet parasysh se Gluck kishte marrë 4000
fiorina me të njëjtin titull). Qe në Vjenë që Mozart takoi Salieri.
Mozart dhe vlerësuesit
Ka një refleksion që duhet bërë lidhur
me pozicionin e Konzertmeister honorifik pranë oborrit të Salzburgut, të
cilin Mozart e kishte mbuluar në fillimet e karrierës së tij. Në kohën e
Mozart sukesi i një artisti i garantohej vetëm atij që gjente mecenatin
e duhur dhe në këtë Leopold ishte as: jo rastësisht kish filluar nga
Maria Teresa, mbi gjunjët e së cilës kishte lënë të shkonte (si të
thuash) vogëlushin Amadeus. Shumë shpejt, Amadeus bën tri miq të mëdhenj
dhe, sipas të gjitha gjasave, një armik të madh. I pari është mentori i
parë zyrtar i tij, vlerësuesi i parë i gjeniut të vogël salzburgas:
Sigizmund Schrattenbach, Princi – Peshkop i plakur i Salzburgut, i cili e
merr në shërbimin e tij, e mbush me vëmendje dhe i fal çamarrokllëqet e
shumta të pashmangshme. I dyti është Emanuel Schinkaneder, drejtor i
një kompanie komikësh shëtitës. I treti mik i madh është Lorenzo Da
Ponte, një venetas me origjinë herreje – i konvertuar në katolicizëm –
libretin i thekur, libretisti zyrtar i Mozart operist. Për të shkruan
libretet e veprave më të famshme: “Dasma e Figaros”, “Don Xhovani” (në
italisht) dhe “Così fan tutte”. Në fakt, ai të cilit i takon ana e të
“keqit” është Girolami Gerolamo (Hyeronimus) i Colleredo, i bërë në
vitin 1772 Arqipeshkëv i Salzburgut, duke zënë vendin e Sigizmund
Schrattenbach.
Mozart është jashtëzakonisht antipatik, e
urren dhe nuk bën asgjë për t’ia fshehur këtë antipati; e nënshtron në
poshtërime të vazhdueshme deri në pikën sa ta detyrojë që të emigrojë –
siç e kemi parë – në Vjenë. Lista e armiqve apo e të supozuarve të tillë
nuk ka mbaruar. Në Vjenë, Amadeus takon Antonio Salieri, një muzikant
venetas, Kapelmaestër në Oborrin e Vjenës. Po Salieri qe vërtet një
armik i Amadeus? Lidhur me këtë raport është shfryrë fantazia e
historianëve dhe e dashamirësve të gosipit. Për shembull, në “Amadeusin”
e tij të vitit 984, Milosh Forman i ka rënduar anët karakteriale të të
dy personazheve dhe e ka bërë Mozart një personazh kalama dhe të
paqëndrueshëm (një lloj Peter Pan ante litteram), ndërsa i ka caktuar
Salieri rolin e “shumë të keqit”, i paaftëm, hajdut potencial dhe kopjac
i pakënqaur. Forman, i cili nuk harron aspektet gjeniale të
kompozitorit austriak, jo rastësisht e vendos kornizën e filmit të tij
në brendësi të atij që mund të konsiderohet ekuivalenti i një çmendine
ku Salieri më së fundi ka mundësinë që të gjendet përballë vetvetes. Ajo
që praktikisht na sjell gosipi historik është kontrasti midis një
djaloshi, kapriçoz, por i guximshëm, i pajisur me një aftësi të pamat
për të dhënë vepra gjeniale, me një të paaftë të supozuar që duhet të
lodhet për çdo faqe që arrin të prodhojë. Çfarë ka të vërtetë në këtë
kuadër prej romani apendiks? Sipas pikëpamjes tonë, të vërtetë ka vetëm
në faktin që Mozart qe një fëmijë – gjeni i pajisur me një kujtesë të
jashtëzakonshme, asnjëherë i rritur.
Nga ana tjetër, një që fillon të
kompozojë qysh 5 vjeç fare mirë mund të jetë pak krenar për veten dhe
për suksesin që gëzon (që nuk qe asnjëherë shumë!). Për më tepër,
Amadeus pati një baba – menaxher që e dinte punën e tij dhe ishte futur
në oborret kryesore europiane ku mburrte me kujdes djalin – gjeni. Në
fakt, nuk ekziston asnjë provë e urrejtjes së Salieri kundrejt Mozart,
as nuk mund të ekzistojë prova e helmimit me art i rivalit të
vetëquajtur. Nga ana tjetër, Salieri nuk mund të konsiderohet i paaftë.
Bërja Maestro i kapelës në një oborr ku vetë Perandori ishte kultivues i
muzikës dhe një instrumentist me vlera, nuk ishte një ndërmarrje e
pakët. Kritika muzikore serioze i ka rivlerësuar gjerësisht veprat e
Salieri, i cili qe një muzikant i shkëlqyer, edhe pse pa atë gjenialitet
që në fakt dallonte Mozart.
Antonio Salieri
Antonio Salieri, italiani (u lind në
Legnago më 18 gusht të vitit 1750 dhe vdiq në Vjenë më 7 maj të vitit
1825), pati një fat akoma më të habitshëm: atë që të bëhej i famshëm jo
prej dhuntive muzikore të tij, por prej ndodhisë së raportit të
stuhishëm me Mozart. Efektivisht kritikët seriozë e gjykuan dhe e
gjykojnë një drejtor orkestre të aftë, kompozitorin më të famshëm dhe më
të rëndësishëm të Europës të kohës së tij. E thënë në këto terma,
Salieri qe një muzikant i pajisur me një talent të konsiderueshëm, i
prirur për mësimdhënien, pavarësisht mënyrës sesi e ka përshkruar Milosh
Forman, i cili e ka bërë pothuajse si vrasës (episodi i pa demonstruar
ndonjëherë historikisht për sa paraqitet me ironi dhe forcë vizionare
nga regjisori i “Amadeus”, 1984 prodhim i Warner Bros). I diskutueshëm
është edhe rivaliteti artistik i tij. Faktikisht, në atë kohë veprat e
Salieri ngjallnin vlerësim më të madh nga sa u rezervohej atyre të
Mozart. Në karrierën e tij Salieri pati si nxënës muzikantë të ardhshëm
të destinuar që të bëheshin të famshëm: nga Beethoven tek Schubert, nga
Liszt tek Czerny dhe Hummel. Ironi e fatit, midis nxënësve të tij pati
një një prej djemve të vetë Mozart, Franz Xaver Wolfgang. Me fjalë të
tjera, Salieri ishte ai që sot do të përkufizohej si një njeri i
“plotësuar”.
Gjeneza e një kundërshtie
Le të shikojmë tani nëse historia mund
të na zbulojë ndonjë gjë që nuk na del nga arti muzikor dhe nga
rivaliteti inekzistues. Kështu, historia na thotë se kundërshtia Salieri
– Mozart nuk kishte arsye që të ekzistonte. Atëherë, është shpikur
ditën për diell nga një regjisor në kërkim të përrallores artistike? Jo,
sepse shkak i kundërshtisë qe pikërisht Mozart i cili rreth vitit 1790,
megjithëse duke qenë në kulmin e famës, akuzoi Salieri – me që ra
fjala, në rënie fame – për kopjim dhe atentat ndaj jetës së tij. Çfarë
kishte të vërtetë në këtë akuzë? Alexander Wheelock Thayer, me profesion
historiak, rreth 10 vjet përpara takimit Mozart – Salieri i kish hequr
salzburgasit rolin e mësuesit të muzikës të Princeshës Württemberg. Për
më tepër, as vitin e ardhshëm, Mozart nuk kishte arritur ta siguronte
detyrën e mësuesit të pianos të princeshës. Këtyre mossukseseve
“profesionale” i shtohet mossuksesi i njëkohshëm pranë publikut (dhe
pranë Perandorit) që shënoi debutimin e “Dasmës së Figaros”: për njërin
mossukses dhe tjetrin Mozart akuzoi Salieri që i kishte bojkotuar
kandidaturën dhe ekzekutimin.
Një shqyrtim serioz i mossuksesit të
“Dasmës së Figaros: na zbulon se në atë kohë Salieri ishte në Francë për
premierën e veprës së tij “Les Horaces”: do të kishte pasur goxha të
vështirë që të përcaktonte në atë largësi suksesin apo mossuksesin e një
vepre të Mozart. Ka shumë mundësi që nxitësi anti-Salieri qe poeti
Giovanni Battista Casti, i cili ishte një rival i poetit të oborrit
Lorenzo da Ponte, autor i libretit të “Figaro”. Në thelb, diatriba
Mozart – Salieri nuk duhet të ketë qenë gjë tjetër veçse një aferë e
montuar me art. Në fakt, kur në mënyrë të çuditshme – në vitin 1788 –
Salieri mori detyrën e “Kapellmeister” të oborrit perandorak, ai nuk
propozoi për rastin një opera të çfarëdoshme, por një ribërje të “Dasmës
së Figaros” të Mozart (mik – armikut!?). Është fakt se me kalimin e
kohës u përhap dhe u konsolidua legjenda e helmimit të supozuar të
Mozart nga ana e një Salieri të tërbuar nga zilia. Legjendë e privuar
nga çdo bazë, por që gjithsesi ka frymëzuar artistë të ndryshëm gjatë
shekujve. Forman nuk ka qenë as i vetmi, as i pari: përpara tij, në
ekuivok analog kishte rënë edhe poeti (dhe shkrimtari) rus Aleksàndr
Sergejeviç Pushkin. Ky në vitin 1830 kishte shkruar “Mozart e Salieri”
(në të kundërt e mbiquajtur në mënyrë simptomatike “Zilia”). Në dramën e
tij shumë të shkurtër në vargje, Pushkin imagjinon që Salieri – i
tërbuar nga xhelozia – do t’i komisiononte rivalin “Requiem” e
zakonshëm, me synimin që t’ia vidhte pasi ta helmonte. Në linjë
pastërtisht fakti, padyshim që “Requiem” ishte një vepër e kompozuar me
komision; megjithatë, porositësi ishte i mirënjohur: bëhej fjalë për
Kontin Fritz Von Walsegg dhe ishte ky që mund të kishte synimin që ta
paraqiste si të vetin me rastin e ekzekutimit të funeralit të dhëndërit
të vet. Nuk ka munguar kush e ka konsideruar të drejtë që të bëjë shaka
lidhur me ndodhinë e treguar nga Pushkin, duke pohuar: “Nëqoftëse
Salieri nuk e ka vrarë Mozart, me siguri Pushkin e ka vrarë Salieri”. Në
vitin 1898, “Mozart e Salieri” u shfaq në versionin e kompozitorit
Nikolaj Rimskij-Korsakov.
Muzika është frymëzuar dhe i është
kushtuar kompozitorit Aleksandr Dargomujzhiski, ndërsa libreti ishte i
vetë Rimskij-Korsakov, që bazohej mbi dramën me të njëjtin emër të
Pushkin dhe sesi kjo vepër u nda vetëm në dy skena. Muzika u ekzekutua
nga pianisti dhe kompozitori Sergej Rahmaninov. Është i vitit 1978 një
përshtatje e mëtejshme e ndodhisë mozartiane: në fakt, më “Amadeus”
dramaturgu Peter Shaffer pushton teatrot e Londrës. Ndodhia merr bazat e
veprës së Pushkin dhe ia zgjeron shtrirjen. Mbetet zilia e Salieri dhe
“Requiem” i porositur nga një njeri i veshur me të zeza (Salieri i
maskuar), por gjithçka thellohet dhe sidomos narrativa vjen nga vepra e
vetë Salieri. Teksti pëson modifikime, deri në versionin definitiv të
vitit 1981. Për të gjetur versionin e fundit, dramën e Shaffer, duhet të
arrihet në vitin 1984 kur Milosh Forman sjell në sallat kinematografike
“Amadeusin” e tij. Nuk do të donim që puna e tanishme të tingëllonte si
një gjykim absolutisht negativ ndaj veprës së Forman.
Praktikisht, nga njëra anë personazhi
Mozart merr karakteristika lehtësisht karikatureske; nga ana tjetër janë
zbutur anët negative të personazhit Salieri: Salieri kinematografik (i
interpretuar nga F. Murray Abraham) është patjetër më pak “negativ” se
ai i propozuar në dramën e Shaffer. Në thelb, karakteret e të dy
personazheve janë zhveshur nga një sens ironie dhe zbutur nga një
ndjenjë e madhe muzikore në skenën e famshme madhështore të kompozimit
të “confutatis maledictis”. Nëqoftëse do të na duhej të bënim bilancin
lidhur me atë që mund të ketë ndodhur në fakt midis Salieri dhe Mozart,
do të detyroheshim të konkludonim se:
” Është shumë e mundur që Salieri të jetë nxitur nga ky rivalitet që dallon raportet midis artistëve të nivelit të lartë;
” Se kjo nuk nënkupton automatikisht që
Salieri kishte mundësinë, rastin apo vullnetin për ta eliminuar
fizikisht Mozart nga horizonti i tij;
” Në çdo rast, nuk do të kishte asnjë përfitim;
” Nga ana tjetër nuk ka dyshim se Mozart
ishte gjeni, se ndjehej pothuajse totalisht i “pakuptueshëm” dhe se
ishte një subjekt lehtësisht i influencueshëm dhe pafundësisht i
brishtë.
Mozart dhe masoneria
Në epokën e Mozart të ishe mason ishte
një stil jetese: ishte Mjeshtër i Madh Perandori i Prusisë, Frederiku II
i Madh, vetë Perandori i Austrisë, Jozefi II; do të ishin Benjamin
Franklin, George Washington dhe shumë mendje të tjera të shkëlqyera nga
shekulli XVIII e këtej (për shembull, Voltaire, ndoshta Rousseau,
Diderot dhe iluministë të tjerë). Mozart nuk i shpëtoi sharmit dhe
prestigjit që në atë moment historik rrethonte masonerinë. U regjistrua
menjëherë pas nisjes definitive për në Vjenë, në momentin në të cilin
karriera e tij si muzikant ishte në kulmin e suksesit. U regjistrua si
“stazhier” më 14 dhjetor të vitit 1784, në Lozhën “Bamirësia” të Vjenës,
duke i djegur etapat (në mars të vitit 1785 kaloi në gradën e “Shokut”
dhe muajin e ardhshëm – më 22 prill – u bë “Mjeshtër”). Ndërkohë, edhe
babai i tij Leopold u bë pjesë e Muratorisë së Lirë. Është bërë pyetja
nëse përkatësia në masoneri nga ana e Mozart ishte një fakt thjesht
formaliteti apo, më keq, një fakt oportunist.
Faktet duket se demonstrojnë të
kundërtën: Mozart nxorri nga masoneria bindje të thella ezoterike dhe
shpirtërore, të cilat i përktheu në frymëzim dhe vepra muzikore. Midis
tyre padyshim vendin e parë e ka “Flauti magjik” me simbolizëm muzikor
të paarritshëm: nuk është rastësi që ai e ripropozoi këtë simbolizëm
edhe në teknikën kompozuese të terceve paralele që do të përdorë edhe në
“confutatis” të Requiem monumental. Kjo teknikë është karakteristikë që
dallon të gjithë pjesën finale të veprës K623, nga pikëpamja
karakteristike masonike edhe në tonalitet ( mi – bemol), për përdorimin e
timbreve, ku është dominuese prania e instrumenteve frymore dhe e
zërave mashkullorë, për tercet paralele e sipërpërmendura dhe për shtatë
septimat dishendente. Nga ana tjetër, universit të muzikës masonike
duket se i përkasin, veç të tjerave, “Cantata K471″ e vitit 1785,
“L’Adagio” për 2 klarineta dhe 3 brirë K411 (edhe kjo e vitit 1785) dhe
“Musica Funebre Massonica” K 477 (edhe kjo e vitit 1785), përveç
“Piccola Cantata Massonica” K623 e vitit 1791.
Vdekja dhe varrosja e Mozart
Mozart vdiq 50 minuta pas mesnatës, më 5
dhjetor 1791. Ceremonitë mortore u mbajtën më 6 dhjetor, në orën 15.
Arkivoli u çua përpara Kapelës së Kryqit të Dumos së Shën Stefanit
(pranë të ashtuquajturit “altari i Capistran”). Pati një lloj funerali
modest (i mbajtur në vend të hapur) dhe varrimi në një varr të
përbashkët të varrezës së Shën Markut. Kufoma e tij nuk është gjetur
asnjëherë. Megjithatë, është falls imazhi i një Mozart që vdes i varfër
dhe i harruar nga të gjithë. Varrimi në një varr të përbashkët ishte
tipik i statusit social, të cilit i përkiste: në thelb, nuk u përcaktua
nga motive ekonomike. Le të themi se Mozart nuk u bë asnjëherë i pasur,
as kur në vitet e fundit të jetës gëzonte një sukses të jashtëzakonshëm:
mbeti gjithmonë një kompozitor oborri me rrogën prej vetëm 800
fiorinash në vit. E kotë të thuash se sëmundja dhe vdekja e Mozart kanë
mbetur të mbështjella me një aureolë misteri, të errësuara nga legjenda
romantike dhe grumbuj teorish kontradiktore dhe legjendash. Për
shembull, studiuesit nuk kanë arritur kurrë një marrëveshje lidhur me
arsyet e rënies së papritur të shëndetit të Mozart, as lidhur me
momentin në të cilën Mozart u bë i vetëdijshëm për vdekjen e afërt, as
nëse kjo vetëdije i ka influencuar apo jo veprat e fundit.
Një vizion i caktuar romantik i
problemit thekson se rënia e Mozart ishte graduale dhe se kompozimet e
tij kanë ardhur duke rënë me të njëjtën masë. Ndonjë bashkëkohës
nënvizoi sesi Mozart në vitin e fundit të jetës ishte në gjendje të mirë
shpirtërore dhe se vdekja erdhi e papritur si për miqtë, ashtu dhe për
familjen. Po çfarë të thuash për shkakun e vdekjes? Ai qe dhe ka mbetur
në lëmin e hipotezave të pastra duke mos qenë për asnjë ndihmë
çertifikata e tij e vdekjes që ka të shkruar “hitziges Frieselfieber”
(“ethe e fortë akute” apo “kruarje febrile”, që në atë kohë konsiderohej
infektuese): bëhet fjalë për një përkufizim që nuk identifikon një
diagnozë korresponduese të përdorshme në mjekësinë e sotme. Është punuar
akoma me fantazi dhe është folur për trikinozë (helmin nga zhiva), për
ethe reumatike ose, ama vetëm kohët e fundit, për sifiliz. Ndaj tij u
praktikua në me shumë seanca terapia e marrjes së gjakut, në atë kohë
shumë e parhapur dhe nuk është e përjashtuar që edhe kjo të mund të ketë
përfaqësuar një bashkëshkak të vdekjes.
Përtej fantazive të Forman, Mozart nuk
arriti që ta përfundojë “Requiem”. Ai iu besua nga e shoqja, Constanze
Weber, muzikantit Joseph von Eybler, i cili shumë shpejt e braktisi
ndërmarrjen e kompletimit. Pastaj u thirr kompozitori i ri Franz Xaver
Süssmayr, nxënës dhe mik i Mozart, i cili e përfundoi punën, duke
kompletuar pjesët jo të mbaruara dhe duke shkruar ex novo ato që nuk
ekzistonin. Ludëig Kochel qe i pari që mblodhi dhe rregulloi veprën e
plotë të Mozart. Kjo është domethënia e germës “K” që i paraprin numrit
të kompozimeve të ndryshme. Në katalogun e tij figurojnë 626 kompozime,
midis të cilave 24 vepra teatrore, 51 simfoni, 19 mesha. Partiturat e
tij kërkuan 33 vëllime që të mund të botoheshin.
Comments
Post a Comment