Kozeta Bakiu: Skena është altari më i lartë për çdo artist



Izaura Ndoj
Pasioni për kërcimin ka lindur bashkë me të. Energjia që ajo mbart dhe puna me studentët e bëjnë të jetë e përkushtuar çdo moment pranë të rinjve. Edhe pse po kalojnë shumë vite nga puna e saj si pedagoge, koreografja e njohur Kozeta Bakiu vazhdon që të punojë po me aq përkushtim sa edhe më parë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, koreografja Kozeta Bakiu rrëfen përkushtimin që ka për studentët, vitet para të punës dhe vijueshmërinë e karrierës artistike në dy dekada, vështirësitë që ajo ka hasur ndër vite, si dhe projektet në vazhdim. Në shumë vite karrierë artistike, koreografia e njohur Kozeta Baiku ka sjellë koncepte dhe risi në skenën shqiptare, duke qenë një ndër emrat më të spikatur të koreografisë shqiptare. E megjithatë, përpos energjisë që e karakterizon, karrierës si pedagoge e koreografisë, ajo na tregon dhe lidhjet e saj me dy fëmijët dhe marrëdhënien me to.

Pas humbjes së bashkëshortit, për disa kohë u larguat nga puna juaj e përditshme dhe përkushtimi për kërcimin. Si ndiheni kur ktheheni në vendin ku falni dhe merrni emocione?
Të them të vërtetën është pak e vështirë kur humb një njeri të dashur të zemrës, është shumë e vështirë të rifillosh jetën. Duke qenë pranë miqve, shokëve dhe njerëzve të tjerë që të rrethojnë, ti fillon gradualisht të hedhësh hapat e para dhe të nisësh përsëri karrierën tënde që e ke lënë të prerë në një kohë të caktuar. Në këto momente kam një kurs që janë shumë të mirë, janë djem dhe vajza të talentuar dhe mendoj se do të bëhen të zotë në një të ardhme në saj të përkushtimit të tyre, në saj të punës që ata bëjnë, por, sigurisht, dhe të pedagogëve që i mbështesin. Akademia është si një laborator ku çdo vit jepen shfaqje të ndryshme me ide dhe koncepte krejtësisht të reja, duke ecur në krah dhe duke u azhurnuar me kulturën botërore.

Një karrierë e gjatë artistike me shfaqje të ndryshme, në akademi si pedagoge, me emra që kanë lënë gjurmë në skenat europiane...?
Të jesh pedagog nuk është e thjeshtë. Të jesh pedagog është një punë e vështirë, pasi ti duhet të futesh në koncept dhe në brendësi të çdo elementi që ty të vjen, pasi shkolla jonë është një shkollë që vjen nga një konkurs paraprak dhe ti përzgjedh disa element me risi të reja. Ne mundohemi që të japim atë element që i bën dhe studentët motivues në këtë profesion aq të bukur dhe të vështirë në të njëjtën kohë.

Si ka nisur rruga drejt koreografisë. Ka qenë një zgjedhje e juaja apo dikush ju drejtoi tek kërcimi?
Si çdo pedagog, unë e kam nisur me Liceun Artistik. Të them të drejtën, në fillimet e mia nuk e mendoja se do të bëhesha koreografe, nuk e mendoja, sepse më dukej tepër e vështirë për të bërë emër në këtë lloj arti. Në atë kohë ishin të paktë koreografët si Panajot Kanaçi, Agron Alija, Petrit Vorpsi e shumë koreografë të tjerë, të cilët ishin profesorët e mi. Në fillim nuk dija se çfarë ishte koreografia, nuk dija se çfarë ishte ajo shkollë arti, por gradualisht mëson dhe mundohesh që të japësh atë që ti mendon dhe këtë ta shprehësh me anë të lëvizjeve dhe me anë të koreografisë që ti bën. Kështu ka nisur koreografia tek unë, por, që pas shkollës, mua nuk m’u dha mundësia që të arrija të futesha në punë. Atëherë isha e detyruar që të tregoja se unë ekzistoj, jam këtu dhe po bëj diçka, ky është emri im dhe punova pa të drejtë rroge për një vit e gjysmë në Pallat të Pionierëve. Ajo ka qenë një qendër e madhe që nxirrte talente dhe sot më vjen shumë keq që nuk ekziston më. Më pas vazhduam me “Dekadën e Majit” dhe me “Kombinatin e tekstileve”, një grup artistik që ishte amator, por që kishte talente mjaft interesante. Këto kanë qenë dy punët e mia të para që u vlerësova nga një komision ku emocionet kanë qenë shumë të mëdha dhe për faktin se shumë pedagogë më dhanë kurajën të eci në këtë rrugë si koreografe.

Sa e vështirë ka qenë mbijetesa si koreografe?
Rruga si koreografe ka qenë gjithmonë e vështirë, nuk mund të thuash - shiko se tani është fillimi dhe vazhdimi do të jetë më i lehtë. Ky lloj arti ka qenë gjithmonë i vështirë, pasi ti duhet të jesh e azhurnuar në çdo moment me gjërat që ndodhin, pasi kërcimi ka ecur shumë që nga koha e monizmit. Nëse nuk je koherente me atë çfarë ndodh në ndryshimin e koreografisë çdo ditë, ti nuk je e aftë të jesh më në treg dhe të bësh karrierë. Një vështirësi tjetër është të dish të ndash punën që bën ti me punën me studentët, janë dy koncepte krejtësisht të ndryshme dhe ti duhet t’i sjellësh sa më afër vetes, pasi janë shumë të rinj për të konceptuar se çfarë pune e madhe vjen më pas.

Çfarë ndodhi pas viteve ‘90 me ju? Si vijoi karriera juaj artistike?
Pas viteve ‘90 jam aktivizuar me “Gjimnastradën”, ishin grupe të rinjsh të shkollave të mesme që performonin në aerobi. Më pas, në ‘92-in filluan “12 Vallëzime pa një të shtunë”, ishte spektakli i parë që Grabocka solli vetëm për kërcimin dhe pati një impakt të madh tek publiku në atë kohë. Kjo risi ishte një hap gjigant, pasi aty për herë të parë u ndeshën që nuk kishte vetëm balet klasik, por kishte dhe shumë zhanre të tjera ku u formuan dhe çiftet e para. Në këtë eveniment u spikatën dhe talentet e para të koreografisë, ishte një gjetje e re e kohës dhe pëlqehej.

Cili ka qenë momenti kulminant i karrierës suaj?
Është e vështirë të ndash punën tënde dhe të thuash kjo është më e mira. Për mua çdo punë kur mbaron dhe ti i ke dhënë shpirtin tënd është kënaqësia më e madhe. Çdo artist, kur mbaron punën edhe pse merr vlerësim gjithmonë, thotë sikur ta kisha bërë pak më ndryshe. Janë shumë elementë që plotësojnë njëra-tjetrën dhe në këto momente nuk di të ndaj një punë më të veçantë, por do të ndaja provimet e studentëve të mi, ku ata quhen provime, por ato sjellin shfaqje të mirëfillta. Skena është altari më i lartë për çdo artist.

Keni dy dekada që merreni me koreografinë duke sjellë koncepte dhe risi çdo herë. Gjatë këtyre viteve, keni ndonjë peng të parealizuar?
Artisti gjithmonë kërkon sa më shumë nga vetja, por pengjet janë gjithmonë ana ekonomike. Ana ekonomike është baza dhe kufiri që ty të pengon të realizosh një shfaqje apo një projekt që e ke në mendje prej vitesh. Nuk dua t’i hap letrat që tani, sigurisht kam një ide timen që dua ta realizoj.

Përveçse një koreografe, jeni dhe nënë e dy fëmijëve. Çfarë drejtimi kanë marrë ata, duke ditur që vijnë nga një familje artistësh?
Bashkëshorti im ka mbaruar pikturë, por ai kishte dhe një dhunti tjetër, atë të restaurimit. Fëmijët janë larguar nga rruga e artit duke parë dhe vështirësitë që ne kemi kaluar si artistë. Vajza i ngjan Kujtimit, pasi ka shumë dorë për pikturën, ndërsa djali dëshiron që të ndjekë mjekësinë. Megjithatë, ata janë akoma të vegjël për të vendosur, nëse do të jenë zgjedhjet përfundimtare.

Cilat janë projektet që do t’ju ndjekin në vazhdim?
Në këto momente është i rëndësishëm përfundimi i vitit me studentët. Një projekt vetjak është në lidhje me punën e bashkëshortit tim. Këto vitet e fundit, ai ka punuar mbi tre libra; monografi, tregime dhe poezi. Dëshira ime është që t’i botoj, pasi është dhe një amanet i fundit i tij, dhe të hap një ekspozitë memoriale me punët e tij të fundit, një përkujtim si artistit dhe si krijues.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk