Zhani Ciko: Ariet e ndaluara nxjerrin në pah vlerat kombëtare
Izaura Ndoj
Solistët e TKOB-së, nën
dirigjimin orkestral të Zhani Cikos, kanë interpretuar mbrëmë në skenën e këtij
teatri vepra të kompozuara nga autorë shqiptarë në shekullin e XIX-të, ku disa
prej të cilave ekzekutohen për herë të parë. Në një intervistë për “Koha Jonë”,
drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, rrëfen punën e bërë për të nxjerrë në pah vlerat
e krijimtarisë së ndaluar, përzgjedhjen e veprave, si dhe punën që kompozitorët
shqiptarë i kanë kushtuar muzikës. Pas kërkimesh në arkiva, Zhani Ciko ka
përzgjedhur në koncertin “Pena e muziktarëve të Rilindjes" vepra që prej
vitit 1881 e deri në vitet 1940, të kompozuara nga Palok Kurti, Fan Noli, Lec
Kurti, Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu, Mikel Koliqi, Prenk Jakova dhe
Kristo Kono. Ndër interpretimet që e bënë të veçantë këtë mbrëmje ishte ai i
aries nga opera e parë shqiptare, "Arbëreshët" e shkruar nga Lec
Kurti në vitin 1915, për të cilën nuk dihet nëse është ekzekutuar ndonjëherë më
parë. Për herë të parë është interpretuar edhe “Shqiptarja e gjydetnueme”, “Kenkan
mbush malet me dëborë” nga Martin Gjoka apo një kompozim i Prenk Jakovës që
solli edhe burgimin e tij. Një zbulim mes arkivave për kompozimet e para
shqiptare është edhe një pjesë e Frano Ndojës, muzikë për dramën e Mihal
Gramenos “Vdekja e Pirros”. Koncerti erdhi nga solistët Irini Nikolla, Ylber
Gjini, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Irida
Dragoti, Denis Skura dhe Solen Alla. “Pena e muziktarëve rilindës” erdhi në
skenë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Pena e muziktarëve të Rilindjes” përmbledh dhe sjellë për herë të parë
në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kompozitorët e dalë nga
arkivat?
Koncerti “Pena e muziktarëve të
Rilindjes”, synon të sjellë në skenë dhe të rivitalizojë një pjesë të literaturës
arkivore shqiptare, e cila deri më sot ka qenë e njohur vetëm për studiuesit e
historisë së muzikës, por që asnjëherë nuk ka tingëlluar në skenën e operës. Është
një repertor krejtësisht i panjohur në mënyrë masive i veprave që datojnë që në
vitin 1881 me “Bashkimi i Shqipnisë” e deri tek 1940 tek melodramat shqiptare. Kjo
muzikë e krijuar nga kompozitorë që kanë jetuar në Shqipëri, që kanë krijuar
institucionet e para, por edhe nga njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në
emigracion.
Cilat janë këto arie që ringjiten në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë?
Një ndër ta është Palok Kurti,
një muziktar i palodhur, që ka hedhur bazat e muzikës jo vetëm në qytetin e
Shkodrës, por dhe muzikës popullore. Një pjesë e repertorit më brilant të
këngës qytetare shkodrane janë krijuar prej tij, si: “Ta dish, ta dish”, “Kenke
nuri i bukuris”, “Marshallah bukuris sate” deri te “Për mu paska ken kismet”.
Përmendim Martin Gjokën, një nga krijuesit më seriozë, që ka trajtuar tema
pikante të historisë së Shqipërisë në vitet e trazuara ‘17-‘18. “Vo is de
fride” është një vepër vokale e tij shumë e ndjetë, mbështetur mbi tekstin e
autorit gjerman Shinkler. Thoma Nasi ka një sërë veprash si rapsodi, pjesë
instrumentale, këngë të ndryshme, të cilat janë repertori bazë i një jete
qytetare të kultivuar në Korçën e viteve ‘20. Një nga gjërat më surprizuese
është gjetja e një fragmenti të panjohur për ne në Arkivin e Shtetit. Bëhet
fjalë për një pjesë të Frano Ndojës, muzikë për dramën e Mihal Gramenos “Vdekja
e Pirros”. Një nga pjesët qendrore të krijimtarisë së kësaj periudhe është
vepra simfonike “Skënderbeu” e Nolit, të cilën kemi pasur mundësi ta njohim
qysh herët. Ajo që është e rëndësishme duke i sjellë këto vepra në skenë dhe ne
vetë jemi surprizuar me vlerat artistike të tyre. Disa nga këto krijime duket
sikur janë shkruajtur këto vitet e fundit për sa i përket zhvillimit të tyre.
Ka dhe vepra, të cilat janë më tradicionale dhe të çojnë në ato vite, por ka
dhe vepra që janë shumë më të avancuara në kohë, të shkruajtura do të thosha me
intelektualizmi.
Keni hasur vështirësi në ekzekutimin e këtyre veprave?
Së pari, më e veçanta është
emocioni kur zbulon një dokument. Domethënë, ti je përpara një dosje ku ka shumë
dorëshkrime të një autori dhe ti duhet të zgjedhësh atë çfarë është më
interesante dhe përfaqësuese për publikun. Por, e gjithë kjo punë bëhet nëpërmjet
studimit të dokumenteve, por tjetër është emocioni kur ato luhen në skenë kur
ti dëgjon tingujt e tyre, pasi, në fund të fundit, muzika shkruhet për t’iu
komunikuar publikut në skenë. Ky ka qenë një emocion që e kemi ndarë me të
gjithë kolektivin e Teatrit të Operës, por kaq i rëndësishëm është dhe fakti si
do të interpretosh, çfarë do të evidentosh. Jemi përpjekur që të bëjmë një punë
serioze, por këto vepra me kohë do të kalojnë në traditën e tyre dhe kjo traditë
do t’i bëjë këto vepra që të gjejë dhe më mirë interpretues të tjerë.
Ju si dirigjent i këtij koncerti keni bërë ndërhyrje në rikthim e
këtyre veprave?
Në çdo interpretim, një vepër në
skenë gjallërohet duke e interpretuar dikush. Pa këtë interpretim vepra mbetet
një interpretim i ftohët që mund të realizohet me kompjuter. Ky emocion njerëzor
që vjen nëpërmjet njohjes dhe zbulimit të këtyre anëve pa diskutim që është në çdo
vepër. Ky është një program që nuk ekzistojnë në ndonjë CD apo disqe që mund t’i
dëgjosh si janë interpretuar në kohën e tyre, pra gjithçka këtu imagjinohet nëpërmjet
interpretim.
Krijimtaria e kësaj periudhe pothuajse nuk është ekzekutuar fare, për të
mos thënë që shumica e tyre janë vepra të ndaluara?
Në përgjithësi, kjo është një
krijimtari që nuk është folur me qëllim asnjëherë në vitet përpara, ose është
folur dhe nuk është ekzekutuar. Gjithçka ka nisur pas viteve ‘90, por siç thashë
është njohja e emrave të kompozitorëve pasi një pjesë e tyre njihen shumë pak.
Dhe një rast mjaftë i mirë janë veprat e Nolit, për të cilin jam dëshmitar. Për
herë të parë e kemi dëgjuar të interpretuar poemën simfonike “Skënderbeu” në
vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes. Ekzekutimi është zhvilluar në
studion e orkestrës, ku erdhën edhe autoritete të larta të kohës për ta dëgjuar
dhe sigurisht për të mos e ekzekutuar më. Sepse kishte xhelozira të brendshme,
partiake. Me këtë rast dilte figura e një eruditi dhe një politikani si Fan
Noli, që i bënte hije figurës së diktatorit, duke qenë edhe kompozitor. Shumë
nga këta autorë nuk mund të shkruanin sipas kanuneve të kohës, si hyjnizimi i
një figure.
Është një sfidë për ju rikthimi i këtyre arieve të ndaluara në skenën
shqiptare?
Pa diskutim, është njëra nga
propozimet e rëndësishme që TKOB-i i ka vënë vetes. Siç e keni vënë re i gjithë
ky vit i kushtohet Jubileut të Shqipërisë, e cila ka nisur me operën “Lulja e
kujtimit”, koncertin “Pishtari i Pavarësisë”, vazhdon me këtë koncert dhe do të
rrugëtojë në muajt në vazhdim me letërsinë skenike të operës dhe baleteve tona,
do të kulmojë me vepra, të cilat janë shkruar enkas në kuadër të konkursit që
ka hapur dhe MTKRS etj. Çdo muaj do të ketë evenimente të kësaj natyre. Ky
koncert ka një sharmë të veçantë se është një zbulesë tërësore e kësaj
krijimtarie.
Comments
Post a Comment