Bujar Alimani: Filmi mbetet sfida ime e madhe, tundues edhe teatri



Izaura Ndoj
Pasioni dhe puna janë dy elementët që e karakterizojnë regjisorin Bujar Alimani. Pritshmëri të larta që ai i vë mbi vete janë rezultat i sukseseve të tij në karrierën artistike. Në një intervistë për “Koha Jonë”, regjisori Bujar Alimani rrëfen projektin “Cinefier 2012, një projekt mjaft ambicioz për të rinjtë, sukseset e një viti për filmin “Amnistia”, dashurinë për regjinë e teatrit, si dhe sfidat që do ta ndjekin gjatë këtij viti. Bujar Alimani u lind më 27 janar 1969 në Patos, Fier. Ai studioi për pikturë dhe artin skenik në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në vitin 1992, ai emigroi në Greqi, ku ka punuar si asistent drejtor në disa filma greke. Pas aktiviteteve të shumta, filmat e tij të shkurtër u përzgjodhën dhe u dhanë në festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit, si në Tampere, Regenyburger, Siena, Sydney, Montpellier etj. Në vitin 2011, ai drejtoi filmin e tij të parë titulluar "Amnesty". Ky ishte filmi i parë shqiptar që është financuar nga Këshilli i Europës fondi “Eurimages”. Filmi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare dhe deri më tani ka rrëmbyer 10 çmime. Gjatë kësaj interviste, Alimani na tregon se cila është sot kinematografia shqiptare, filmi shqiptar dhe perspektiva e tij.


Prej disa javësh ndodheni në Fier në kuadër të projektit “Cinefier 2012”. Mund të na shpjegoni më tej si erdhi ky projekt dhe qëllimin e tij?
“CINEFIER 2012” është një cikël seminaresh mbi kinematografinë që ka për qëllim grumbullimin e një kontingjenti të rinjsh me prirje drejt filmit dhe organizohet e mbështetet prej Bashkisë Fier. Ka një segment kohor dy muaj dhe ka nisur kryesisht me leksione teorike rreth kinematografisë e komponentëve të realizimit të një filmi, paralel e gjithë kjo me njohuri për historinë e kinematografisë botërore e asaj shqiptare, por duke fokusuar gjithçka drejt realizimit të tre filmave me metrazh të shkurtër me ide të vetë nxënësve që kanë shkuar drejt të bërit të skenarëve e që do të realizohen totalisht prej tyre. Prekja e të gjitha hallkave të bërjes së një filmi është thelbi i këtij cikli seminaresh.

Mbase historia shqiptare ju intrigoi dhe ju vuri përpara realitetit shqiptar për të realizuar filmin “Amnistia”. Po sot, pas kaq triumfesh si ndjeheni?
“Amnistia” është e mbështetur në histori shqiptare e mbetet një film absolutisht me vulë kombëtare, pa i hequr aspak karakterin global human. Më tërheq vendi im dhe është obligim imi njerëzor që si shqiptar që jam, të trajtoj historitë e njerëzve të mi.

Por, përveç kësaj, “Amnistia” ju identifikon si një regjisor me pritshmëri të larta pas çmimeve që ka rrëmbyer në mbarë festivalet ku ka marrë pjesë...?
Filmi ka mbyllur deri tani në harkun e një viti nga dalja e kopjes së parë të konkurrojë zyrtarisht në 36 Festivale Ndërkombëtare e të vlerësohet me 10 çmime. Nuk është pak për filmin e parë të një regjisori që vjen nga një vend pothuaj i panjohur në hartën botërore të industrisë së filmit. Sigurisht që më shqetëson puna e ardhshme dhe cilësia e saj. Le të shpresojmë se gjithçka do të shkojë mirë, pasi dihet gjendja e vështirë ekonomike e QKK dhe filmi është i varur direkt me financimin.

Si i kujtoni fillimet tuaja drejt regjisë, pasi deri më tani ju kemi parë të fokusuar në regjinë e filmit. Ndoshta ndonjë ditë do t’ju shikojmë si regjisor teatri?
Nëse flisni për fillimet drejt regjisë së filmit, mund t’iu them se kanë qenë pak a shumë të rastësishme. Por, ndodh shumë shpesh që edhe ardhjet tona në jetë të jenë po kaq të rastësishme, kështu që nuk është aspak e rëndësishme kjo, e rëndësishme është vija e jetës, vija e karrierës, se çdo bëhesh më vonë e si do të bëhesh. Filmi për mua mbetet sfida më e madhe, po jo më pak tundues është edhe teatri. Dua herë pas here të bëj edhe regji teatri.

Përveç sukseseve jeni përballur dhe me shumë peripeci gjatë karrierës suaj artistike...?
Sukseset janë përbri me peripecitë. Nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën. Madje, mendohet se e para, pra suksesi është fryt i të dytës, i peripecive. Nuk e kam menduar jetën time ndonjëherë pa vështirësi pa qenë domosdoshmërisht njeri mazokist. Kështu ndodh, kështu është jeta ime.

Tranzicioni që pësoi Shqipëri bëri që dhe ju të iknit mes qindra artistëve jashtë trojeve shqiptare. Na flisni pak mbi këto sfida dhe kthimin tuaj drejt artit?
Lëvizja e intelektualëve nëpër botë ishte plaga më e madhe e kombit, sepse, në fakt, shumica e tyre humbën ose pas cikleve të rropatjeve u kthyen sërish në vend, në Shqipëri. Një pjesë e mirë nuk e gjetën veten ose nuk mundën të përfshihen në çka ndodhte në shoqëritë ku ata shkuan. Dhe kthehen sërish në Shqipëri në thelb me famën e të “dikurshmëve” ...Në fakt ka pak tragji-komizëm dhe trishtim. Shpesh i këndojmë vendit tonë duke thënë “balta më e ëmbël se mjalta”, pasi nuk kemi mundur të suksesojmë atje, në botën e zhurmshme e të fortë të vlerave të barabarta e këtu nuk është faji i asaj bote të Perëndimit. Absolutisht jo. Ka tek ne shqiptarët mungesë të theksuar talenti ose me saktë talent të pagëzuar me vulën e realizmit socialist, të cilën Perëndimi nuk e njeh fare e as do të dijë. Talentet tanë në botë qenë tepër të paktë, numërohen me gishtat e dorës, ata që qëndrojnë fort e në këmbë përballë vlerave si të barabartë mes të barabartëve.

Sipas jush, kinematografia shqiptare, filmi shqiptar dhe perspektiva e tij sot ku ndodhen dhe çfarë i pret përpara?
Filmi shqiptar sot është më “sakat” se kurrë. Me një QKK me buxhet të përgjysmuar nuk mund të pretendohet të ketë kinematografi. Me një tendencë të Qeverive që vijnë dhe shkojnë për të tallur komunitetin e kineasteve nuk mund të ketë sërish kinematografi. Me një komunitet kineastësh që nuk flet për këtë, gjithashtu nuk mund të ketë kinematografi. Ku janë sot “kokat” e regjisë shqiptare të filmit? Përse nuk flasin? Ku janë “baballarët” e filmit shqiptar që mesa duket fërkojnë duart në mënyrë barbare duke uruar brenda vetes së tyre “kurrë mos pastë buxhet për të tjerët”, pasi vetë e kanë mbyllur me një kinema, e cila në thelb pas disa vitesh nuk do të shihet më nga askush, sepse nuk do të ketë ç’të thotë për njeriun shqiptar të shekullit 21. Përse nuk prononcohen për “kirurgjinë” makabre që po i bëhet të ardhmes së filmit shqiptar, e cila sot nuk është gjë tjetër, veçse buxheti vjetor i QKK i barabartë me grimin e një filmi të mirë francez? Unë kam plotësisht të drejtë të mendoj kështu, përderisa rreth kësaj ka vetëm heshtje. Për fat të keq, ky është realiteti në kinematografinë shqiptare sot. Kineastët shqiptarë janë të përfshirë në ankesa dhe mallkime personale e kanë harruar se e mira e përgjithshme nuk është ulja e kokës sa herë ulet buxheti, por përkundrazi protesta e qytetëruar dhe sensibilizimi publik për atë çfarë ndodh.

Cilat janë sfidat dhe projektet tuaja që do t’ju ndjekin në vazhdim?
Një skenar që dua ta xhiroj në Verilindje të Shqipërisë në vjeshtë dhe një skenar në punim e sipër që dua ta xhiroj me buxhet privat në Nju Jork. Të dy brenda vitit 2012, shpresojmë të realizohen.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk