Diktatori Enver Hoxha, në sytë e Blendi Fevziut
Ilda Lumani
Pasi ka komunikuar këtë fillimjavë me një
publik miks (nga personalitetet e vendit tek studentët e ekselencës),
dokumentari “Diktatori” i gazetarit të mirënjohur Blendi Fevziu do të përkthehet
edhe në anglisht për të shkuar edhe tek publiku i huaj. Historitë e njerëzve të
pushtetshëm që qëndronin pranë Enver Hoxhës, ngritja dhe eliminimi i tyre,
gërshetuar edhe me xhirime të pashfaqura ndonjëherë të jetës së diktatorit,
sollën në sytë e audiencës një film rrëqethës, të parë krejt ndryshe. Në këtë
intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, Fevziu tregon më tej rreth tij,
ndërsa këto ditë është vlerësuar për emisionin e tij “Opinion”, me Çmimin
Gazetari i Vitit për intervistat në televizion!
Blendi,
përgëzime për filmin dokumentar dhe mund të na tregoni se çfarë impakti patët
në premierën e tij në Tiranë?
B.F. Kryesisht atë impakt që prisja. Ne
kishim bërë një parapremierë në Prishtinë në fund të muajit nëntor dhe e dinim
pak a shumë reagimin e publikut. Ajo që ishte më e rëndësishme për ne ishte të
miksonim njerëz me mosha dhe profesione e interesa të ndryshme. Domethënë jo
thjeshtë njerëz që e kanë jetuar atë kohë, që ju intereson politika dhe
historia, por edhe të rinj, apo personazhe që e shohin atë thjeshtë si një pjesë
të jetës së prindërve apo gjyshërve të tyre. Ky miksim personazhesh funksionoi
dhe besoj se njerëzit e pëlqyen. Se sa, duhet ta thonë ata vetë. Zakonisht, në
Shqipëri, njerëzit të urojnë gjithnjë, edhe atëherë kur nuk ju pëlqen një gjë. Ndaj,
sinqeritetin e tyre, unë s’di të ta tregoj.
Dokumentari
bazohej tek libri juaj, përse menduat se ishte nevoja për ta ekranizuar një
vepër që ende po qarkullon në duart e lexuesit?
B.F. Sepse ka qenë dokumentari që ka lindur
librin. Pavarësisht se buja e librit u bë një garanci për dokumentarin. Unë kam
shkruar në fillim skenarin e dokumentarit dhe kur e pashë që ky skenar ishte
tejet i gjatë, bëra shkurtimet e duhura dhe paralele, skenarin e parë vijova ta
shkruaj si libër. Ndërkohë që libri ishte ende duke u shkruar, dokumentari
kishte përfunduar. Por libri zbuloi materiale dhe dokumente të tjera dhe kjo,
na shtyu që versionin e parë, ta përmirësojmë për një shfaqje paraprake në
Prishtinë dhe më pas, ta rindërtojmë si film të plotë nga janari deri në prill.
Filmi ka ende ndryshime që po ia bëjmë përpara se sa të shfaqet në kinema.
Ka
pasur mendime se ndoshta ishte pak e tepërt që pas librit të shfaqej menjëherë
dokumentari. Mendoni se ka qenë pikërisht në kohën e duhur?
B.F. Unë besoj që po. Po kjo është punë dëshire,
dikush mendon që është shumë, dikush normal.
Shumë
nga historitë që pamë në ekran ishin të njohura për audiencën, rrëqethëse ishte
t'i shihje ato të tëra bashkë. Ju vetë si gazetar dhe si njeri, si e përjetuat
mbledhjen e gjithë këtyre materialeve dhe historive?
B.F. Edhe për mua shumë histori qenë të
panjohura për të qenë i sinqertë. Pastaj efekti i imazhit dhe sinkronit është i
ndryshëm nga ai i një libri.
Në
sytë tuaj si fëmijë, çfarë ka qenë Enver Hoxha?
B.F. Nuk besoj se nga një fëmijë kërkohet të
ketë një mendim kaq të konsoliduar për një figurë politike. Gjyshat dhe stërgjyshat
ma shanin shumë, thoshin se ai ishte një njeri shumë i keq, ndërkohë që prindërit
më thoshin se gjyshat nuk duhen dëgjuar shumë. Kishin frikë se mos unë flisja
jashtë ato që dëgjoja në shtëpi. Dhe kjo ishte fatale në atë kohë. Por njeriu
nuk mund të pyetet për mendimet që merr të gatshme nga të tjerët, por për atë
mendim autonom që krijon kur është i aftë vetë të gjykojë. Kjo ka ardhur tek unë
rreth moshës 20-vjeçare.
Pra,
rreth viteve ‘90? Dhe cili ka qenë ky mendim?
B.F. Mendimin pas viteve ‘90 e kam bërë
publik në shkrime, emisione, komente dhe pse jo në libra.
Sot?
B.F. Ekzakt ajo që përcaktoj në librin tim!
A
do ta tentoni ta prezantoni filmin edhe në një audiencë jashtë Shqipërisë,
ndoshta përmes festivaleve të ndryshme të filmit?
B.F. Kemi idenë që filmi të përkthehet një
herë në anglisht dhe të jetë i gatshëm për shikuesit e huaj. Më pas do të shohim.
Takimi
Berisha-Nano pas premierës së filmit ishte kryelajm për median. Mos e zbehu pak
vëmendjen tek premiera juaj ky takim?
B.F. Nuk besoj, e kundërta. Natyrisht që një
lajm dite tërheq vëmendje, por secili ka pjesën e tij të protagonizmit dhe të
peshës që zë në lajmet e ditës.
Ju
ishit negociator i tij?
B.F. Jo dhe s’ishte diçka e programuar. Në
koktejin pas filmit ata u gjendën afër dhe shkëmbyen disa fraza e qëndruan pak
minuta bashkë.
Për
ju cili është presidenti që i duhet vendit?
B.F. Një president që ta kuptojë rolin e tij
dhe të mos kthehet në protagonist politik. Mbi të gjitha një njeri që të jetë
një kartëvizitë brilante për Shqipërinë jashtë dhe të ndihmojë në integrimin e
saj në Europë.
Këtë vit keni qenë mjaft
mediatik, keni frikë nga konsumimi?
B.F.
Një njeri që del 192 net në vit “live” në televizion nuk ka frikë që konsumohet
edhe nga 3 evente të tjera shtesë.
Comments
Post a Comment