Rosela Gjylbegu: Nuk besoj tek formulat, më pëlqejnë të papriturat!
Ilda Lumani
Grafiku
i punës së një artisti është gjithmonë interesant. Kënaqësia e një kënge të re
pasohet me atë të realizimit të klipit, më tej promovimi i tij, dhe pa kaluar
pak nga shijimi i suksesit nis projekti i ri. Rosela Gjylbegun, këngëtaren e
suksesshme, këtë herë e kemi takuar në fazën e shijimit të kënaqësisë që i ka falur
puna e fundit, siç është dueti me Sinan Vllasaliun, “Formula e dashurisë”. Një
këngë që prej një muaji është lançuar dhe me një shikueshmëri të lartë në
kanalin “Youtube” në Internet. Me një stil alla vitet ‘30, Rosela ka ardhur
krejt ndryshe, si në paraqitje ashtu edhe në këtë këngë, ndërsa projekti e radhës
që do të jetë mjaft veror, për të cilën ka nisur tashmë puna, do të jetë
kryekëput ndryshe. Sigurisht, brenda natyrës së këngëtares, pa dalë nga vetja,
por ama edhe duke guxuar për të sjellë gjithmonë inovacion dhe për të qenë
gjithmonë koherente me trendet muzikore sot në botë. Por në këtë intervistë për
suplementin “Koha Tjetër”, Rosela na tregon disa detaje që kanë të bëjnë edhe
me natyrën e saj. Për më tepër intervista në vijim!
Rosela, urime për këngën e re “Formula e lumturisë”! Nga
konstatimet deri më tani si është pritur kënga?
"Formula
e lumturisë" rezultoi shumë e pëlqyer. Deri më tani reagimet janë shumë pozitive,
është lançuar fort nëpër mediat shqiptare dhe më bëhet qejfi tek marr çdo ditë
urime edhe komplimente...
Duket se formula e dueteve ka prirë për mbarë, kujtojmë
këtu këngën me Eliza Hoxhën fituese e “Kënga Magjike”. Kjo ka qenë një arsye e
bashkëpunimit?
Mendoj
që kur ka shkëmbim energjish pozitive ndërmjet dy artistëve suksesi vjen
natyrshëm, bashkangjitur me dëshirën për të bërë një punë të mirë e cilësore,
ndaj dhe unë kam zgjedhur gjithmonë të punoj me artistë të vërtetë dhe me
eksperiencë. Në këtë rast, si Sinani edhe Eliza janë shumë profesionalë dhe
kemi gjetur lehtësisht gjuhën e përbashkët dhe si rrjedhojë kemi transmetuar
emocione të forta, dhe jam e lumtur që kjo ka arritur publikun. Fundja ky është
qëllimi!
E kërkuat ju këngën nga Sinani, apo ai? Si erdhi kjo
këngë?
Ky
bashkëpunim në fakt ka një kumbar, ai është menaxheri im. Ideja dhe çdo gjë ka
qenë e tij dhe mendoj se kishte shumë të drejtë...
Këngëtari Sinan Vllasaliu ka realizuar edhe disa duete të
tjera me këngëtarë nga Kosova dhe Shqipëria, këngë që janë kthyer në hite.
Është kjo një arsye përse vendosët të bashkëpunonit me të?
Sigurisht
që edhe kjo ishte një ndër arsyet, Sinan Vllasaliu është një ndër këngëtarët më
të ndjekur e më të kërkuar të momentit.
Kënga është një baladë dashurie që brenda mban edhe
ndjesi pendese. Ju vetë keni përjetuar situata të tilla në jetë?
Po
mendoj që të gjithë ne jemi gjendur në situata të tilla, ku dhe kemi gabuar
edhe jemi penduar, më pas ka qenë tepër vonë për t’u rikthyer... Po në fund të
fundit çdo gjë ndodh për një arsye dhe koha shëron çdo gjë!
Ju vetë e keni gjetur formulën e dashurisë?
Hmmm...
Unë nuk mendoj se do të dija të ndërtoja në jetë diçka me formula, apo receta të
përcaktuara, duke qenë natyrë spontane, më pëlqejnë të papriturat!
Për sa i përket klipit jeni shfaqur me një stil krejt
ndryshe. Deri ku do të guxonit ju të ndryshonit në një klip?
Është
e vërtetë jam në një stil alla vitet ‘30, por, në fakt, kështu ishte konceptuar
klipi dhe unë kisha dëshirë të ndryshoja diçka, por gjithmonë brenda natyrës
sime. Ne jemi artistë dhe na lejohet të guxojmë, por pa dalë nga vetvetja, ndaj
unë përpiqem të bëj çdo gjë që më përshtatet dhe më bën të ndjehem komode.
Stina e verës po afron dhe bashkë me të këngëtarët
sjellin këngë ritmike. Ju keni në plan të ecni me këtë trend?
Në
fakt kam shumë plane e projekte në kokë, jam duke punuar, por jo çdo gjë varet
nga unë, ndaj shpresoj që të arrijmë t’i realizojmë në kohë e t’i lançojmë sa më
shpejt, përsëri ndryshe me ritëm!
Vera do të thotë më shumë punë, koncerte apo pushime
totale për ju?
Vera
do të thotë shumë punë, por duke qenë se ne gjithë koncertet i bëjmë nëpër
vende me plazh e det përfitojmë pak edhe nga koha dhe arrijmë t’i ndërthurim të
dyja (qesh).
Comments
Post a Comment